Biznesmeni Grigor Joti ka përfunduar procesin e transferimit të kuotave të tij në një prej shoqërive të para në vend në teknologjinë e informacionit, Infosoft, tek dy bashkëpunëtorët e tij të hershëm dhe punonjës në kompanitë e tij, Armand Shara dhe Bledar Dhima.
Gjithçka është finalizuar me depozitimin e ndryshimeve në QKB, ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se është vënë në dijeni për një përqendrim të rëndësishëm në tregun e teknologjisë së informacionit, pas blerjes së 55% të kuotave të shoqërisë “Infosoft Business Solutions” sh.p.k nga Armand Shara dhe Bledar Dhima.
Transaksioni, me vlerë totale rreth 300 milionë lekë, ose 3 milionë euro, u realizua me kushtin e pagesës së plotë brenda një periudhe trivjeçare.
Më 17.07.2023 shoqëria “Investment Joti – Infosoft Group sh.p.k” me ortakë Grigor Joti dhe Mirela Joti, kishin lidhur kontratën e shitjes me kusht të 55% të kuotës zotëruese në shoqërinë ““InfoSoft Business Solutions” sh.p.k me Armand Shara dhe Bledar Dhima.
Kushti konsistonte në pagimin e plotë të vlerës së shitjes brenda 3 viteve, e cila është e ndryshme nga vlera nominale e kuotës, ku Armand Shara do të paguante në favor të shoqërisë “Investment Joti – Infosoft Group sh.p.k” vlerën prej 199,369,293 lekë, ndërsa Bledar Dhima vlerën prej 99,714, 555 lekë.
Kontrata parashikonte që z. Bledar Dhima të përfaqësonte shoqërinë “IJ-Infosoft Group sh.p.k me tagra të plota në të gjitha marrëdhëniet me shoqërinë “Info Business Solution” në lidhje me administrimin dhe mbledhjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme deri në transferimin e pronësisë.
Shitja e kuotave është miratuar edhe nga Asambletë reciproke të shoqërive të datës 2.6.2025.
Ortakët përfundimtarë të “Infosoft Business Solutions” sh.p.k. mbeten Armand Shara, Bledar Dhima dhe shoqëria “Tag Engineering” sh.p.k. Në këtë të fundit rezulton ortak Armand Shara. Bledar Dhima përpara transaksionit të fundit, zotëronte 15% të kuotave të shoqërisë.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se është njoftuar më 16 qershor 2025, ndërkohë që transaksioni është pasqyruar në QKB që më 13 qershor, pas realizimit të tij më 2 qershor. Kjo vonesë në njoftim mund të sjellë një vendim të AK për të ndëshkuar me gjobë subjektet. Mbetet gjithashtu për t’u parë nëse përqendrimi do të marrë miratimin e Autoritetit të Konkurrencës. /ekofin.al
