Mallrat ushtarake dhe ato me përdorim të dyfishtë do t’u nënshtrohen kritereve më të rrepta dhe kontrolleve të hollësishme përpara eksportit të tyre.
Ndryshimet në projektligjin “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe atyre me përdorim të dyfishtë”, të publikuara për konsultim publik synojnë të zgjerojnë fushën e kontrollit edhe mbi ato mallra që nuk figurojnë në listat zyrtare, por që mund të përdoren për qëllime të ndaluara me pasoja të rënda për sigurinë ndërkombëtare ose të drejtat e njeriut.
Në thelb të ndryshimeve janë dy dispozita të reja që synojnë parandalimin e eksporteve potencialisht të rrezikshme. Më konkretisht neni 21/1: parashikon që edhe mallrat me përdorim të dyfishtë që nuk janë të listuara në listën kombëtare të kontrollit, do të kërkojnë licencë eksporti, nëse dyshohet apo informohet nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) se mund të përdoren për zhvillim ose prodhim të armëve kimike, biologjike apo bërthamore; përdorim ushtarak nga shtete nën embargo armësh apo si pjesë për artikuj ushtarakë të eksportuar në shkelje të ligjit.
Nëse një eksportues ka dijeni apo dyshim të arsyeshëm për këto qëllime përfundimtare, ai ka detyrimin ligjor të njoftojë AKSHE-në, e cila vendos nëse nevojitet licencë për eksportin e tyre, thuhet në draft.
Projekligji, në nenin 21/2, përfshin për herë të parë vendosjen nën kontroll edhe mallrat për mbikëqyrje kibernetike që nuk janë të listuara, por që mund të përdoren për shtypje të brendshme ose shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Edhe në këtë rast, eksportuesi duhet të njoftojë autoritetin nëse nga rezultatet e kujdesit të duhur (due diligence) dyshohet për qëllime të tilla. Vendimi për të vendosur eksportin nën regjimin e licencimit është në kompetencën e AKSHE-së.
Me ndryshimet e vitit 2024 me eksport kuptohet edhe transmetimi i programeve software apo i teknologjisë përmes medias elektronike, përfshirë nëpërmjet faksit, telefonit, postës elektronike ose çdo mjet tjetër elektronik, përfshirë bërjen të disponueshme të këtyre soft-eve dhe kësaj teknologjie, në formë elektronike, për personat juridikë dhe fizikë jashtë territorit shqiptar ose për një person të huaj brenda territorit shqiptar.
Këto masa synojnë të mbyllin boshllëqet ligjore dhe të forcojnë mbrojtjen ndaj eksporteve të teknologjive ose produkteve që mund të kontribuojnë në përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë apo në praktika kundër të drejtave themelore të njeriut. /ekofin.al
