Linja ajrore me kosto të ulët, Wizz Air (WIZZ.L), njoftoi të hënën se do të tërhiqet nga operacionet e saj në Abu Dhabi, pas gjashtë vitesh aktivitet, për të përqendruar aktivitetin në tregun e saj kryesor, Evropën, duke përmendur pasigurinë gjeopolitike dhe aksesin e kufizuar në treg.
Wizz, e cila fillimisht ishte përqendruar në Evropën Qendrore dhe Lindore, por më pas u zgjerua edhe në Britani, Itali dhe Austri, tha se në të ardhmen do të fokusohet te biznesi i saj evropian, i cili është shumë më fitimprurës.
Aksionet e linjës ajrore të listuar në Londër u rritën me 1.5% në orët e para të tregtimit. Megjithatë, aksionet kanë humbur rreth 62% të vlerës në dy vitet e fundit, të goditura nga problemet me motorët Pratt & Whitney GTF, që kanë çuar në ndalimin e fluturimeve për disa avionë.
Wizz tha se pasiguria gjeopolitike ka shkaktuar mbyllje të përsëritura të hapësirës ajrore përreth Abu Dhabit, duke ndikuar në kërkesën e pasagjerëve. Ndërkohë, klima e nxehtë në Lindjen e Mesme ka ulur efikasitetin e motorëve, duke e bërë të vështirë funksionimin me modelin e kostos së ulët.
Gjithashtu, mungesa e të drejtave për të fluturuar në disa destinacione bëri që kompania të mos arrinte rritjen e parashikuar në rajon.
“Thjesht nuk arritën të gjeneronin fitim nga Lindja e Mesme,” tha analisti i Davy, Stephen Furlong.
Wizz bëri të ditur se do të ndalojë fluturimet lokale nga data 1 shtator 2025 dhe do të kontaktojë klientët për rimbursimet përkatëse.
“Kufizimet në zinxhirin e furnizimit, pasiguria gjeopolitike dhe qasja e kufizuar në treg e kanë bërë gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e objektivave tona fillestare,” tha në një deklaratë CEO i Wizz Air, Jozsef Varadi.
“Edhe pse ky ishte një vendim i vështirë, është vendimi i duhur në këto rrethana,” shtoi ai./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
