Të dhënat zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) për periudhën janar-qershor 2025 tregojnë një situatë alarmante në lidhje me sigurinë teknike të mjeteve në qarkullim. Nga 130,256 mjete të testuara, 24.7% nuk kanë kaluar kontrollin teknik, duke ngelur për shkak të problemeve serioze në funksionim.
Sipas statistikave, 86% e mjeteve të testuara ishin automjete me kapacitet nga 4+1 deri në 8+1 vende, ndërsa 36.2% e testimeve janë kryer në qendrën e DRSHTRR-së në Tiranë.
Arsyet kryesore të dështimit në kontroll teknik
Në 37.5% e rasteve tregojnë probleme në sistemin e shkarkimit të gazrave, një faktor me ndikim direkt në ndotjen e ajrit dhe konsum të lartë karburanti; 34.5%: mangësi vizuale dhe funksionale, që përfshijnë probleme në ndriçim, pasqyra, gomina, etj.; 14.7%: defekte në sistemin e frenimit, rrezik potencial për aksidente;13.3%: probleme me sistemin e drejtimit, duke ndikuar në kontrollin e mjetit gjatë lëvizjes.
Në të njëjtën periudhë janë çregjistruar përfundimisht 3,796 mjete të vjetra, me një moshë mesatare 22-vjeçare, çka vlerësohet si një hap pozitiv drejt pastrimit të parkut automobilistik nga mjetet jashtë standardit.
DPSHTRR nënvizon se ndalohen rreptësisht ndërhyrjet në odometër, modifikimet konstruktive apo çdo lloj ndërhyrjeje tjetër që cenon sigurinë rrugore. Këto ndërhyrje përbëjnë shkelje të rënda ligjore dhe rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e drejtuesve dhe pasagjerëve të tjerë në trafik.
Autoritetet bëjnë thirrje për respektim të rregullave dhe kryerjen e mirëmbajtjes periodike të mjeteve, për të garantuar një qarkullim të sigurt në rrugët e vendit./ekofin.al





