Banka e Shqipërisë ka miratuar propozimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave për të krijuar më shumë lehtësi rregullative ndaj kredive të akorduara nga sektori bankar për projektet e rëndësishme në sektorin e transportit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ndërmarrë në mbledhjen e fundit të datës 2 korrik ndryshime në tre rregullore të mbikëqyrjes për të krijuar lehtësitë e kërkuara në financimin e projekteve infrastrukturore.
Në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”, është shtuar një nen i posaçëm, i cili praktikisht i klasifikon kreditë e bankave për projekte të caktuara infrastrukturore me rrezik më të ulët për qëllime rregullore. Sipas ndryshimeve të miratuara që hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, bankat identifikojnë në mënyrë të veçuar nga klasa e ekspozimeve ndaj shoqërive tregtare, ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, ku përfshihen financimet e projekteve në formën e ndërtimit të një infrastrukture të re ose ekzistuese, në fushat e transportit rrugor dhe të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale, sipas parashikimeve ligjore dhe nënligjore dhe ku shoqëria tregtare ka një kontratë/marrëveshje me institucionin shtetëror përkatës.
Gjithashtu, duhet të plotësohen edhe disa kushte të tjera si financimi të ketë një afat maturimi deri në 10 vjet; kontrata e kredisë për ekspozimin në fjalë, i siguron bankës një nivel të lartë kontrolli mbi aktivet e projektit dhe të ardhurat që gjenerohen prej tij; burimi i shlyerjes së kredisë (detyrimit) përbëhet minimalisht në masën dy të tretat nga të ardhurat që gjenerohen nga projekti i financuar; huamarrësi mund të përmbushë detyrimet e tij financiare, edhe në kushte të theksuara stresi që lidhen me rrezikun e projektit të financuar; përfitues fundor i projektit të financuar është qeveria shqiptare.
Në rast se të gjitha kushtet e sipërpërmendura plotësohen, atëherë bankat ponderojnë ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, me peshën e rrezikut 50% dhe jo siç ndodh në pjesën më të madhe të rasteve me 100%.
Sipas ndryshimeve rregullatore të Bankës së Shqipërisë, parashikimet e këtij neni do të zbatohen për të gjitha ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, që do të krijohen deri më 31 dhjetor 2026 dhe do të jenë të zbatueshme deri në afatin e miratuar të financimit, që në çdo rast ky i fundit nuk tejkalon 10 vjet. Gjithashtu, për të gjitha bankat që do të përfitojnë nga ndryshimi rregullativ i mësipërm, do të lejohet shpërndarja e fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, apo e fitimit të realizuar në vitin 2025 dhe 2026, deri në 50%.
Ky ndryshim rregullator pritet të bëjë më pak të kushtueshme dhënien e kredive të këtij lloji nga bankat në terma të kapitalizimit, duke i krijuar tashmë atyre më shumë hapësira për financimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore. /ekofin.al
