Komisioni i Konkurrencës ka ndëshkuar me gjobë, vlera e së cilës nuk specifikohet, dy kompani, AGNA SHA, kompani e njohur shqiptare në pronësi të vllezërve Naçi dhe INTER STOCK SHPK, kompani veshjesh nga Kosova, pasi kanë njoftuar jashtë afateve ligjore krijimin e kompanisë së përbashkët INTER STOCK Albania SHPK, e cila do të merret me tregtimin e produkteve të veshjeve të ndryshme dhe këpucëve të të gjitha llojeve edhe në Shqipëri. Shoqëria AGNA SHA në një reagim për ekofin.al ka specifikuar se gjoba e vendosur ndaj saj ka qenë në vlerën 100 Euro.
Në vendim, Konkurrenca informon se palët kanë hartuar dhe nënshkruar statutin e shoqërisë INTER STOCK Albania SHPK. Statuti i shoqërisë ka përcaktuar themelimin bashkërisht të një shoqërie të re, me përgjegjësi të kufizuar, ku kapitali themeltar i shoqërisë do të përbëhet nga kontributi në para i Ortakëve Themelues në vlerën totale 1,000,000 lekë, i cili përbëhet nga 2 kuota, ku 1 kuotë i përket shoqërisë INTER STOCK SHPK, që përfaqëson 49% të kapitalit dhe 1 kuotë i përket shoqërisë AGNA SHA, me 51% të kapitalit.
Konkurrenca vëren se referuar dokumentacionit të depozituar, transaksioni i propozuar përbën një përqendrim në kuptim të nenit 10 dhe 12 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”dhe si i tillë është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës. Njoftimi te Autoriteti i Konkurrencës për rastin e përqëndrimit është publikuar në faqe në datën 30 maj 2025.
Në vendimin e gjobës, AK vëren se bazuar në nenin 12, pika 2 e ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, një përqendrim duhet të njoftohet pranë Autoritetit të Konkurrencës brenda 30 ditëve nga lidhja e marrëveshjes.
Në rastin e krijimit të ndërmarrjes së përbashkët me funksione të plota INTER STOCK Albania SHPK, detyrimin për njoftim e kanë patur shoqëritë AGNA SHA dhe INTER STOCK SHPK. Në zbatim të nenit 12, pika 2 e ligjit, palët kanë patur detyrimin për njoftim sipas parashikimit të nenit 53 të ligjit, brenda 30 ditëve duke filluar nga data 20.03.2025.
Për mosrespektim të afatit të njoftimit, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur gjobë në masën jo më shumë se 1% të xhiros totale të vitit paraardhës financiar. AK njofton se xhiroja totale e e shoqërive palë në marrëveshje është në vlerën rreth 160 miliard lekë. Në fund të vendimit, AK e ka fshirë vlerën e gjobës për secilën nga shoqëritë, duke lënë të hapur mundësinë se sipas parashikimeve ligjore ajo mund të jetë maksimumi deri në 1.6 miliard lekë, ose 16 milionë euro, por në fakt gjoba ndaj AGNA-s ka qenë vetëm në vlerën e 100 Eurove. Shoqëritë kanë të drejtën e ankimimit të vendimit në Gjykatën Administrative Tiranë. Pasi i ka gjobitur kompanitë për tejkalim të afateve ligjore, përmes një vendimi tjetër, Konkurrenca ka dhënë autorizimin e përqendrimit për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët, mes AGNA SHA dhe INTER STOCK Shpk. /ekofin.al
