Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, AmCham, ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, duke vënë në dukje disa nga problematikat që rrezikojnë mbarëvajtjen e një sezoni të suksesshëm turistik në Shqipëri.
AmCham thekson fillimisht se duhet përmendur impakti pozitiv i aktivitetit turistik në ekonominë shqiptare, rritja e investimeve private në strukturat e reja akomoduese, si dhe tendenca në rritje të fluksit të turistëve të huaj.
Por, në mbështetje të këtij sektori, – nënvizon AmCham, – ne dëshirojmë të sjellim në vëmendje disa prej sfidave me të cilat po përballen anëtarët tanë në këtë fillim sezoni. Adresimi i tyre në kohë, do të ndihmojë për të ruajtur suksesin e deritanishëm të promovimit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajonin e Mesdheut.
“Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete,” thekson AmCham.
Më tej, Dhoma Amerikane, ngre si shqetësim çështjen e mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojën për një zgjidhje afatgjatë që fokusohet në zhvillimin, kualifikimin dhe motivimin e fuqisë punëtore brenda këtij sektori. “Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit,” thekson Amcham.
