Çmimet e banesave në Bashkimin Europian shënuan një tjetër rritje të ndjeshme në fillim të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e banesave u rritën me 5.7%, ndërsa qiratë u rritën me 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2024, rritja ishte më e butë, me 1.4% për banesat dhe 0.9% për qiratë.
Rritje të larta të çmimeve që nga 2010-ta
Që nga viti 2010, çmimet e banesave në BE janë rritur me 57.9%, ndërsa qiratë me 27.8%. Sipas Eurostat, ndërsa qiratë janë rritur në mënyrë më të qëndrueshme, çmimet e banesave kanë ndjekur një model më të luhatshëm, me një rritje shumë të shpejtë mes viteve 2015–2022, një rënie të lehtë pas saj dhe më pas një kthim në rritje që nga viti 2024.
Hungaria dhe Estonia, rekord për çmimet e banesave
Nga 26 vendet e BE-së të përfshira në statistikë, 21 prej tyre kanë parë rritje më të madhe të çmimeve të banesave sesa të qirave.
Rritjet më të theksuara të çmimeve të banesave për periudhën 2010–2025 janë Hungari (+260%), Estoni (+238%), Lituani (+194%), Letoni (+154%), Çeki (+147%), Portugali (+130%),Bullgari (+125%), Austri (+113%), Poloni dhe Luksemburg (+102%), Sllovaki (+100%)
Italia është i vetmi vend i BE-së ku çmimet e banesave kanë rënë gjatë kësaj periudhe, me -4%.
Qiratë rriten në të gjithë BE-në, me përjashtim të Greqisë
Në të njëjtën periudhë, qiratë janë rritur në 25 nga 26 vendet e BE-së Estoni (+220%), Lituani (+184%), Hungari (+124%), Irlandë (+115%).Vetëm Greqia ka shënuar një rënie të çmimeve të qirave, me -11%.

