Duke qenë se bashkitë mbajnë sisteme dhe baza të dhënash individuale për taksat dhe tarifat vendore, të cilat nuk ndërveprojnë me njera-tjetrën ose me tatimet qendrore, duke u bërë shkak edhe për problematika, Ministri i Financave ka nxjerrë një udhëzim, që ka në thelb krijimin e një regjistri për personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrimin për të paguar taksat dhe tarifat vendore, sipas kategorisë së detyrimeve tatimore, përfshirë edhe përjashtimet apo lehtësimet fiskale për kategori të caktuara taksapaguesish.
Sipas udhëzimit, që ka hyrë në fuqi, me publikimin e tij sot në Fletore Zyrtare, ky regjistër përfshin gjithë informacionin bazë që lidhet me taksapaguesit persona fizikë (individ, individ të vetëpunësuar apo individ tregtar), ambulantët dhe entitetet/personat juridikë të detajuar sipas kategorisë së detyrimeve tatimore, përfshirë përjashtimet apo lehtësimet fiskale për kategori të caktuara taksapaguesish.
Në krijimin dhe mbajtjen e Regjistrit, njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkëpunojnë me institucione dhe entitete të tjera publike dhe private. Do të jenë njësitë e vetëqeverisjes vendore, pra bashkitë, që sipas procedurave të brendshme të miratuara nga kryetari, do të përditësojnë Regjistrin për të reflektuar ndryshimet ligjore, demografike e socio-ekonomike që kanë efekt në taksat e tarifat vendore.
Financat i kërkojnë njësive vendore që për të siguruar informacionin e nevojshëm për hartimin e politikave dhe harmonizim më të mirë me kuadrin ligjor fiskal kombëtar, ato të përgatisin vazhdimisht raporte dhe/ose informacion statistikor mbi taksat e tarifat vendore dhe taksapaguesit vendorë, që kanë detyrimin për të paguar taksat dhe tarifat vendore, sipas kategorisë së detyrimeve tatimore, përfshirë përjashtimet apo lehtësimet fiskale për kategori të caktuara taksapaguesish.
Informacioni për taksat e tarifat vendore dhe taksapaguesit vendorë, që kanë detyrimin për të paguar taksat dhe tarifat vendore, sipas kategorisë së detyrimeve tatimore, përfshirë përjashtimet apo lehtësimet fiskale për kategori të caktuara taksapaguesish, përcaktohet në aneksin 1, thuhet më tej në udhëzimin e ministrit të Financave.
Regjistri përmban: a) llojet e taksave dhe tarifave vendore në fuqi për vitin buxhetor në territorin e NJVQV-së; b) bazën e taksës; c) nivelin sipas taksave dhe tarifave vendore; d) listën e personave fizikë (individ, individ tregtar ose i vetëpunësuar), ambulantëve dhe entiteteve/personave juridikë që kanë detyrimin të paguajnë taksat dhe tarifat vendore sipas kategorisë së detyrimeve tatimore, përfshirë përjashtimet apo lehtësimet fiskale për kategori të caktuara taksapaguesish; e) të ardhurat e planifikuara dhe të mbledhura sipas llojeve të taksave dhe tarifave vendore, dhe kategorive kryesore të taksapaguesve; f) të dhëna për detyrime të tjera tatimore (taksa/tarifa të papaguara nga vitet paraardhëse tatimore, gjoba dhe kamatëvonesa).
III. FORMA E REGJISTRIT
- Regjistri i Personave Fizikë e Juridikë që kanë detyrimin për të paguar taksat dhe tarifat vendore, krijohet dhe mbahet në formë elektronike.
- Ky regjistri duhet të: a) sigurojë përputhshmëri me standardet më të larta të sigurisë dhe privatësisë; b) ofrojë mundësinë e kërkimit dhe filtrimit të të dhënave; c) ofrojë mundësinë e rishikimit dhe përditësimit të të dhënave; d) ofrojë mundësinë e përpunimit statistikor, analizës dhe raportimit të të dhënave.
IV. BASHKËPUNIMI NDËRINSTITUCIONAL PËR KRIJIMIN, MBAJTJEN DHE PËRDITËSIMIN E REGJISTRIT
- Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (NJVQV) lidhin marrëveshje bashkëpunimi me njëratjetrën, me organe dhe agjenci të pushtetit qendror, entitete të tjera publike e private, të cilat disponojnë informacion të nevojshëm, në lidhje me statusin dhe veprimtarinë e taksapaguesve, informacion i cili është i domosdoshëm për realizimin e një administrimi efikas të taksave dhe tarifave vendore.
- Marrëveshjet përkatëse të bashkëpunimit duhet të përfshijnë të paktën, informacionin që do të shkëmbehet, mënyrën e shkëmbimit të informacionit, nivelin e aksesimit, si dhe pikat e kontaktit.
- Marrëveshjet nënshkruhen me institucionet, si më poshtë, por pa u kufizuar në to: a) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; b) drejtoritë rajonale tatimore; c) Qendra Kombëtare e Biznesit; d) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile; e) Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë; f) Agjencia Shtetërore e Kadastrës; g) Enti Kombëtar i Banesave; h) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor; i) Operatori Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE sh.a.; j) ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve që operojnë në territorin e NJVQV-ve; k) ministritë.
- NJVQV-të përdorin informacionin e marrë, vetëm për përditësimin e Regjistrit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Për këtë qëllim, NJVQV-të adoptojnë rregullore të brendshme për të siguruar trajtimin e duhur dhe konfidencial të informacionit.
V. RAPORTIMI STATISTIKOR NË MINISTRINË E FINANCAVE
- 1. NJVQV-të dërgojnë informacion statistikor në Ministrinë e Financave sa herë që kërkohet, por të paktën një herë në vit për:
- a) llojet e taksave dhe tarifave vendore në fuqi për vitin buxhetor në territorin e NJVQV-së; b) bazën e taksës; c) nivelin sipas taksave dhe tarifave vendore; d) listën e personave fizikë (individ, individ tregtar ose i vetëpunësuar), ambulantëve dhe entiteteve/personave juridikë që kanë detyrimin të paguajnë taksat dhe tarifat vendore sipas kategorisë së detyrimeve tatimore, përfshirë përjashtimet apo lehtësimet fiskale për kategori të caktuara taksapaguesish; e) të ardhurat e planifikuara dhe të mbledhura sipas llojeve të taksave dhe tarifave vendore, dhe kategorive kryesore të taksapaguesve; f) të dhëna për detyrime të tjera tatimore (taksa/tarifa të papaguara nga vitet paraardhëse tatimore, gjoba dhe kamatëvonesa);
VI. KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Mosdërgimi i informacionit statistikor pranë Ministrisë së Financave, sipas përcaktimeve të nenit 12, të ligjit nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, i ndryshuar, dënohet me gjobë nga nëpunësi i parë autorizues, sipas parashikimeve të nenit 61 të këtij ligji.
Aneks nr. 1
INFORMACIONI MBI TAKSAT DHE TARIFAT VENDORE, SI DHE TAKSAPAGUESIT E TAKSAVE DHE TARIFAVE VENDORE
I. TË DHËNAT PËR TAKSAT DHE TARIFAT VENDORE:
1. Lloji dhe niveli i taksës vendore; 2. Baza e taksës vendore; 3. Lloji dhe niveli i tarifës vendore; 4. Periudha tatimore gjatë të cilës zbatohet taksa dhe tarifa vendore; 5. Përjashtimet e mundshme nga taksa dhe tarifa vendore; 6. Lehtësimet e mundshme nga taksa dhe tarifa vendore; 7. Periudha gjatë të cilës aplikohen përjashtimet dhe lehtësimet e mundshme nga taksa dhe tarifa vendore.
II. TË DHËNAT E REGJISTRIT PËR PERSONAT FIZIKË (INDIVID TREGTAR DHE I VETËPUNËSUAR):
1. Numri Identifikues i Personit të Tatueshëm (NIPT); 2. Emri tregtar i personit të tatueshëm; 3. Kodi i Aktivitetit Ekonomik (kodi ekonomik i veprimtarisë së biznesit sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike dhe përshkrimi i veprimtarisë ekonomike që ushtrohet); 4. Objekti i aktivitetit (aktiviteti i kryer, duke specifikuar llojin e veprimtarisë ekonomike); 5. Statusi i aktivitetit; 6. Adresa: rruga/qyteti/bashkia; 7. Numri i telefonit; 8. Data e regjistrimit në regjistrin tregtar; 9. Lloji i detyrimit tatimor; 10. Niveli i taksës/tarifës; 11. Baza e taksës; 12. Totali i detyrimit tatimor; 13. Periudha tatimore vjetore/periodike; 14. Afatet e pagesës.
III. TË DHËNAT E REGJISTRIT PËR PERSONAT FIZIKË (INDIVIDË):
1. Numri i Identifikimit Personal (ID) të deklaruesit; 2. Emri, atësia dhe mbiemri; 3. Nënshtetësia e individit; 4. Vendbanimi i individit (adresa: rruga/qyteti/bashkia); 5. Numri i telefonit; 6. Lloji i detyrimit tatimor; 7. Niveli i taksës/tarifës; 8. Baza e taksës; 9. Totali i detyrimit tatimor; 10. Periudha tatimore vjetore/periodike; 11. Afatet e pagesës.
IV. TË DHËNAT E REGJISTRIT PËR AMBULANTËT:
- Numri Unik i Identifikimit të Subjektit (NUIS); 2. Emri tregtar i personit të tatueshëm; 3. Kodi i Aktivitetit Ekonomik (kodi ekonomik i veprimtarisë së biznesit sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike dhe përshkrimi i veprimtarisë ekonomike që ushtrohet); 4. Objekti i aktivitetit (aktiviteti i kryer, duke specifikuar llojin e veprimtarisë ekonomike); 5. Vendi kryesor i ushtrimit të aktivitetit; 6. Adresa: rruga/qyteti/bashkia; 7. Numri i telefonit; 8. Data e regjistrimit në regjistrin tatimor; 9. Lloji i detyrimit tatimor; 10. Niveli i taksës/tarifës 11. Baza e taksës; 12. Totali i detyrimeve tatimore; 13. Periudha tatimore vjetore/periodike; 14. Afatet e pagesës.
V. TË DHËNAT E REGJISTRIT PËR ENTITETET/PERSONAT JURIDIKË:
1. Numri i Identifikimit të Subjektit të Tatueshëm (NIPT); 2. Emri Tregtar i Personit të Tatueshëm, që është emri me të cilin paraqitet veprimtaria dhe që shënohet në certifikatën e NIPT-it; 3. Emri dhe mbiemri i administratorit; 4. Numri i identifikimit personal (ID) të administratorit; 5. Kodi i aktivitetit ekonomik (kodi ekonomik i veprimtarisë së biznesit sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike dhe përshkrimi i veprimtarisë ekonomike që ushtrohet); 6. Objekti i aktivitetit (aktiviteti i kryer, duke specifikuar llojin e veprimtarisë ekonomike, i cili ndihmon në kategorizimin e taksave dhe tarifave vendore); 7. Statusi i aktivitetit; 8. Adresa: rruga/qyteti/bashkia e personit të tatueshëm; 9. Numri i telefonit; 10. Forma ligjore e aktivitetit; 11. Data e regjistrimit, vendi dhe numri i regjistrimit; 12. Lloji i detyrimit tatimor; 13. Niveli i taksës/tarifës; 14. Baza e taksës; 15. Totali i detyrimit tatimor; 16. Periudha tatimore vjetore/periodike; 17. Afatet e pagesës.
VI. TË DHËNAT PËR TAKSËN MBI PASURINË E PALUAJTSHME (NDËRTESË, TOKË BUJQËSORE DHE/OSE TRUALL URBAN):
1. Emri, atësia dhe mbiemri i pronarit/ pronarëve; 2. Datëlindja; 3. Vendlindja; 4. Numri Personal i Identifikimit/ose NIPT-i kur pasuria është biznes; 5. Adresa e pronës/zona fiskale sipas VKM-së (në rastin e pasurisë ndërtesë); 6. Forma e pronës (publike, private, bashkëpronësi); 7. Adresa e banimit të pronarit; 8. Numri i kontaktit/adresë email-i; 9. Lloji i pasurisë (ndërtesë, tokë bujqësore, truall); 10. Sipërfaqja në m2 ; 11. Data e regjistrimit dhe zona kadastrale (nëse është e regjistruar); 12. Identifikimin si ndërtesë e parë për banim ose tjetër; 13. Lloji i përdorimit/destinacioni (banesë ose biznes); 14. Të dhëna për përdoruesin dhe/ose qiramarrësin; 15. Planimetria e pronës; 16. Dokument/autorizim përfaqësimi të bashkëpronarëve. /ekofin.al
