Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin tematik “Mbi monitorimin e HEC Sasaj, Sarandë”, për periudhën nga fillimi i koncesionit deri më 31.01.2025. Si një çështje me ndjeshmëri publike, ky auditim në kohë reale nisi menjëherë pas çarjes së digës së hidrocentralit të Bunecit, e cila shpërtheu mesditën e 16 janarit 2025.
Auditimi është ushtruar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Agjencinë Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN). Nga ky auditim janë konstatuar disa mangësi si struktura mbajtëse, rrethuese e basenit të presionit kishte pësuar dëmtim, për pasojë derdhje të ujit të depozituar, duke shkaktuar dëme në natyrë, banesa dhe infrastrukturë. Rreth 16 familje kanë pësuar dëme në pajisje shtëpiake dhe po kështu dëme kanë pësuar bizneset në materiale hotelerie, mure rrethues dhe porta të jashtme, pemëtari si agrume apo ullinj, etj.
Nga verifikimi i dokumentacionit si dhe verifikimi në objekt rezulton se fuqia e instaluar për HEC “Sasaj” është 8600 kW. Referuar përcaktimeve të kontratës koncesionare, fuqia e projektuar dhe e miratuar për këtë vepër është 5,500 kW. Ky devijim nga përcaktimet e kontratës përbën shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes koncesionare dhe shoqërohet me problematika të natyrës teknike, të cilat ndikojnë në funksionimin optimal të veprës, thuhet në raportin e KLSH-së.
Në vazhdimësi, por në mënyrë më të theksuar gjatë vitit 2022, nga ana e koncesionarit nuk është lëshuar sasia e ujit ekologjik në rrjedhën e lumit ekzistues, duke krijuar pasoja për mjedisin, por edhe për banorët e zonës, nga mungesa e ujit për ujitje.
Sipas raportit, nga ana e AKBN-së nuk janë realizuar monitorime të mjaftueshme për HEC “Sasaj”, por dhe për HEC-e të tjerë. Mungesa e monitorimeve ka lidhje me mosrespektimin nga ana e koncesionarëve të marrëveshjeve përkatëse për paraqitje dokumentacioni në mënyrë periodike, si dhe me mangësi në inspektimet që realizohen nga ky autoritet. Po kështu, nga ana e koncesionarit nuk janë marrë masa të vazhdueshme për sigurinë e veprave përbërëse të HEC “Sasaj” dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla, nuk janë kryer as mirëmbajtje apo investime periodike, të cilat burojnë si detyrim i kontratës.
Nga ana e AKBN-së janë inspektuar veprat përbërëse të HEC “Sasaj” pas dëmtimit, por nuk ka asnjë korrespondencë në lidhje me masat që duhet të marrë koncesionari, as me organet e pushtetit vendor dhe as me vetë koncesionarin për kompensimin e dëmeve.
Në përfundim të auditimit, KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, vlerësimin e shkallës së përgjegjësisë dhe marrjen e masës disiplinore: “Lirim nga detyra” për Drejtorin Ekzekutiv të AKBN.
Po ashtu, i ka rekomanduar Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, vlerësimin e shkallës së përgjegjësisë për çdo punonjës sipas trajtimit në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe marrjen e masës disiplinore: “Largim nga puna”, për z. E. M., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Monitorimit pranë AKBN (i komanduar).
Ndërsa, për punonjësit e larguar nuk rekomandon masa disiplinore edhe sepse shkeljet e natyrës administrative të konstatuara, pavarësisht se ekzistojnë, nuk mund të ezaurohen si të tilla, pasi personat e sipërpërmendur nuk janë në marrëdhënie pune me këtë institucion, janë larguar nga detyra dhe nuk ka adresim institucional për dhënien e zbatimin e tyre.
Por, në bazë të shkeljeve të konstatuara masa disiplinore do të ishte “Lirim nga detyra”, përkatësisht: znj. M. H., z. E. Sh., z. I.B., z. A. H., z. A. L., z. A. Ç. në cilësinë e përgjegjësve të sektorit të monitorimit të HEC-eve, sipas periudhave përkatëse. Për z. Dh. L. dhe z. A. K., në cilësinë e mbikëqyrësit e punimeve, mangësitë e konstatuara i përkasin periudhës nga viti 2009 deri në vitin 2012./ekofin.al

