Teknologjia funksionon pak a shumë si një karikues i madh pa kabëll për telefonin.
Automjetet elektrike (EV) po rriten në popullaritet, por karikimi mbetet ende një nga pengesat kryesore për përdoruesit e zakonshëm. Në Göteborg të Suedisë, një eksperiment i guximshëm synoi ta zgjidhte këtë sfidë duke eliminuar fare nevojën për kabllo.
Që nga marsi i vitit 2022, qyteti nisi një pilot 3-vjeçar për të testuar karikimin pa tela, me një flotë prej 20 taksish elektrike. Volvo Cars ofroi automjetet, kompania amerikane InductEV instaloi teknologjinë e karikimit induktiv, ndërsa infrastruktura u sigurua nga Bashkia e Göteborgut.
Gjatë tre viteve të testimit, 20 modele Volvo XC40 të përdorura në shërbimin taksi përshkuan mbi 4.3 milionë kilometra, sipas një raporti nga Business Region Göteborg – agjencia zhvillimore ekonomike e qytetit.
“Po e bëjmë këtë për të mësuar më shumë rreth përdorimit të karikimit pa kabëll dhe për të kuptuar si e përjetojnë njerëzit këtë teknologji,” tha Robert Eriksson, drejtues teknik në Volvo Cars, për Euronews Next.
Stacionet e karikimit pa tela mbuluan 13.5% të gjithë nevojës për energji të flotës gjatë periudhës së provës.
“Është një projekt i mirë… nuk ke pse shqetësohesh për kabllon. Thjesht parkon mbi ato panele në tokë,” tha Talal Maksassi, një shofer taksie lokal.
Si funksionon teknologjia?
Teknologjia e karikimit pa kabëll, e zhvilluar nga InductEV, ishte integruar në makinat Volvo të përdorura në test. Duke përdorur një kamerë 360 gradë të integruar në Volvo XC40, shoferi sheh në ekran një kuti blu në tokë dhe pozicionon makinën mbi të për të filluar karikimin.
Në fillim ishte e vështirë të pozicionoje makinën saktë, tregon Maksassi, por tani është mësuar. “Duhet të jesh në vendin e saktë për të karikuar makinën. Përndryshe nuk funksionon. Por pastaj e merr dorën.”
Karikuesit në tokë, të lidhur me një stacion rreth 20 metra larg, transmetojnë energji drejt një marrësi të vendosur poshtë makinës.
“Ajo që ndodhet në pjesën blu në tokë është një spirale që transmeton energji induktive te marrësi i makinës. Ka një panel të ngjashëm nën makinë që merr energjinë dhe e çon në bateri përmes sistemit elektrik të automjetit,” shpjegon Eriksson.
Karikuesit në tokë ofrojnë deri në 75 kW energji.
‘Green City Zone’ – Zona e Gjelbër e Qytetit
Ky projekt është pjesë e nismës më të gjerë Green City Zone të qytetit Göteborg, që synon të bëjë pjesë të qytetit terren testues për zhvillimin e teknologjive të transportit të qëndrueshëm, me synimin për të arritur qarkullim pa emetime deri në vitin 2030.
Në Bashkimin Evropian, të gjitha makinat dhe furgonët e rinj të shitur duhet të jenë pa emetime që nga janari i vitit 2035.
“Karikimi pa kabëll rezulton të jetë tërheqës për flotat e taksive dhe transportues të tjerë në pika kyçe të qytetit, me potencial të madh për të ndihmuar në uljen e emetimeve,” tha Patrik Andersson, drejtor i Business Region Göteborg, në raport.
“Jemi të gatshëm të nxisim bashkëpunime të mëtejshme dhe jemi të lumtur që shumica e shoferëve që morën pjesë në projekt duan të vazhdojnë ta përdorin këtë zgjidhje inovative,” shtoi ai.
Studimi tregon se përdorimi i karikimit pa kabëll mund të përmirësohet me shtimin e numrit të stacioneve të tilla.
Volvo tha se projekti është lehtësisht i përsëritshëm në qytete të tjera evropiane. “Mund të zgjerohet kudo ku ke makina elektrike dhe infrastrukturë të disponueshme, si rrjetet elektrike,” tha Eriksson.
“Sigurisht që duhet të gjesh vend për të vendosur stacionet e karikimit dhe për këtë duhet bashkëpunim me qytetin. Nuk është diçka që mund ta bësh i vetëm. Duhet veprim i përbashkët,” shtoi ai.
Kohët e fundit, qyteti ka njoftuar ndërtimin e një stacioni të ri karikimi me dy karikues induktivë përpara një qendre të madhe ndërkombëtare konferencash, përveç dy stacioneve ekzistuese me katër karikues në tokë që u përdorën gjatë provës./ Përshtati nga Euronews, ekofin.al
