Rreth 15.7 milionë fëmijë në mbarë botën nuk kishin marrë asnjë vaksinë rutinë deri në vitin 2023.
Miliona fëmijë po anashkalojnë vaksinimet rutinë, dhe kjo prirje në rënie mund të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, sipas një studimi të ri global. Gjatë gjysmës së fundit të shekullit, vaksinat rutinë kundër sëmundjeve si fruthi, poliomieliti dhe tuberkulozi (TB) kanë shpëtuar rreth 154 milionë jetë, kryesisht të fëmijëve nën moshën pesë vjeç, sipas raportit të publikuar në revistën mjekësore The Lancet.
Megjithatë, si vendet e pasura ashtu edhe ato në zhvillim po shfaqin një prapakthim në vaksinim, për shkak të ndërprerjeve në kujdesin shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 dhe përhapjes së dezinformatave për vaksinat. Ekspertët mendojnë se shkurtimet e fundit në ndihmën globale do ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Sipas analizës së realizuar në 204 vende dhe territore për 11 vaksina, përqindja e fëmijëve që morën vaksinën kundër fruthit ra në 100 vende midis viteve 2010 dhe 2019. Pasojat mund të jenë fatale. Shpërthime të fruthit në Europë dhe Shtetet e Bashkuara kanë vrarë 17 persona dhe kanë sëmurur mijëra të tjerë gjatë vitit të fundit.
“Do të kemi më shumë fëmijë të shtruar në spital, me dëmtime të përhershme dhe që vdesin nga sëmundje plotësisht të parandalueshme, nëse kjo prirje nuk ndryshon,” tha në një deklaratë Andrew Pollard, drejtues i Grupit të Vaksinave në Universitetin e Oksfordit, i cili nuk ishte pjesë e këtij studimi.
Analiza tregon se miliona fëmijë nuk kanë marrë vaksinat rutinë për shkak të ndërprerjeve të shkaktuara nga COVID-i midis viteve 2020 dhe 2023. Rreth 15.6 milionë fëmijë humbën dozën e vaksinës kundër fruthit ose të tre dozat e vaksinës difteri-tetano-pertusis, ndërsa 15.9 milionë nuk morën vaksinën kundër poliomielitit dhe 9.18 milionë nuk morën vaksinën për TB.
Deri në vitin 2023, numri i fëmijëve të quajtur “zero-dose” – ata që nuk kanë marrë asnjë vaksinë – arriti në 15.7 milionë. Edhe pse ky numër është ulur nga 58.8 milionë në vitin 1980, ai përfaqëson një rritje krahasuar me periudhën para pandemisë. Sot, shumica e këtyre fëmijëve jetojnë në Afrikën nën-Sahariane dhe në Azinë Jugore, megjithatë edhe në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar ka mbi 165,000 fëmijë pa asnjë vaksinë.
Norma e vaksinave vazhdon të bjerë
Edhe pse normat e vaksinimit janë më të larta në Evropë, kontinenti nuk është imun ndaj këtij fenomeni. Që nga viti 2010, mbulimi me të paktën një vaksinë ka rënë në 21 vende të pasura, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Qipron, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Luksemburgun, Holandën, Spanjën, Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Sfida tani është si të përmirësojmë shpërndarjen dhe pranimin e vaksinave në zonat me mbulim të ulët,” tha në një deklaratë autorja kryesore e studimit, Emily Haeuser, hulumtuese në Institutin për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në SHBA.
Gjetjet tregojnë gjithashtu se objektivat kyç të shëndetit global ka gjasa të mos arrihen. Zyrtarët e shëndetësisë kishin vendosur synimin për të përgjysmuar numrin e fëmijëve pa vaksinë midis 2019 dhe 2030, por deri në vitin 2023 vetëm 18 vende kishin arritur këtë objektiv.
Ekspertët shëndetësorë thonë se shkurtimet e fundit në financimin global për shëndetësinë mund ta dëmtojnë më tej këtë qëllim.
“Anembanë botës, rritja e numrit të vendeve të copëtuara nga trazirat civile dhe luftërat, së bashku me shkurtimet drastike të ndihmës së huaj nga vendet e pasura si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, e bëjnë shumë të vështirë që vaksinat të arrijnë tek shumë popullata,” tha në një deklaratë David Elliman, profesor i asociuar në University College London, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
Megjithatë, studiuesit kërkojnë më shumë investime në fushatat e vaksinimit, përpjekje të drejtuara kundër hezitimit ndaj vaksinave dhe dezinformimit, si dhe nisma për të rindërtuar besimin e publikut tek autoritetet shëndetësore.
“Është në interesin e të gjithëve që kjo situatë të përmirësohet,” tha Elliman. “Jo vetëm se është një detyrim moral për të përmirësuar shëndetin e të gjithë fëmijëve, por edhe sepse askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
