Banka e Shqipërisë ka vijuar edhe gjatë 2025 ndërhyrjet në tregun e parasë për të mbajtur nën kontroll kursin e euros, që ka vijuar zhvlerësimin.
Banka e Shqipërisë, në tre ankandet e zhvilluara gjatë 2025, ka blerë 33.20 mln euro me një mesatare 11.07 mln, kundrejt mesatares prej 14.20 mln euro gjatë vitit 2024. Shuma e blerë ka qenë e ngjashme me shumën e blerë në tre ankande në të njëjtën kohë një vit më parë prej 32.60 mln euro, duke treguar se pjesëmarrja relativisht më e ulët e bankave lidhet me faktorë sezonalë.
Objektivi i blerjeve të valutës nga ana e BSH për vitin 2025 është 270-350 mln euro.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, sikurse lajmëruar në dhjetor 2024, me objektiv rritjen rezervës valutore, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar tri ankande për blerjen e valutës, ku njëri prej tyre kanë qenë me opsionin FORWARD. Për herë të parë, Banka e Shqipërisë ka organizuar një ankand të blerjes së valutës me afat tremujor, kundrejt afatit njëmujor të përdorur në vitet e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të vitit 2025, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë konsistuan në operacionet e tregut të hapur për injektim likuiditeti.
Injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë ka rënë në 27.80 miliardë lekë, pas vlerave të larta prej mesatarisht 50-60 miliardë lekë në dy tremujorët e mëparshëm.
Rënia e mungesës ka qenë e qëndrueshme gjatë muajit janar, nga 59 miliardë lekë në 20 miliardë lekë, nën efektin e shpenzimeve të Ministrisë së Financave, ndërsa në periudhën shkurt-mars, mungesa është stabilizuar në 20-30 miliardë lekë.
Gjendja e likuiditetit në llogarinë e qeverisë ka rënë prej 74.70 miliardë lekësh, në 30 miliardë lekë gjatë muajit janar, dhe përdorimi i depozitës në ditën e fundit të muajit ka qenë 26.70 miliardë lekë, duke tejkaluar mungesën me pothuaj 7 miliardë lekë. /ekofin.al
