Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga sulmi kibernetik ndaj Bashkisë Tiranë, që ndër të tjera rrëzoi edhe portalin online të regjistrimeve në kopshte dhe çerdhe, përsëri gjërat nuk i janë kthyer normalitetit. Kjo ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve që të publikojë sot një njoftim në rrjetet sociale (as faqja zyrtare nuk punon), ku njoftohen të gjithë ata prindër që nuk kanë arritur ta realizojnë regjistrimin online se tashmë duhet ta bëjnë në versionin “old style”, përmes paraqitjes fizike në zyrat e Drejtorisë, në rrugën e Barrikadave, me dokumentacionin përkatës.
Sipas procedurave, dokumentet e nevojshme për regjistrim janë: Certifikata personale dhe familjare e fëmijës, vërtetimi i punës së prindërve (përfshihet edhe paga mujore), vërtetimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore (nga e-Albania) dhe vërtetimi i vaksinimeve të fëmijës.
Në rast transferimi nga një institucion në tjetrin, kërkohet edhe një justifikim i arsyes së lëvizjes. Për fëmijët e kategorive të veçanta (të ndjeshëm ose me status të veçantë), duhet të dorëzohen dokumente shtesë që vërtetojnë këtë status.
Të gjithë aplikantët duhet të paguajnë një fond garancie prej 5,000 lekësh, i cili kryhet pranë zyrave të Postës Shqiptare. Ky fond është i detyrueshëm për finalizimin e regjistrimit.
Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të paraqiten fizikisht nga prindërit dhe regjistrimet do të jenë të hapura në datat 25, 26, 27 dhe 30 Qershor 2025. Regjistrimet në çerdhet dhe kopshtet publike të Bashkisë Tiranë u hapën në 2 Qershor, por përsëri një pjesë e prindërve nuk kanë mundur ta finalizojnë procesin deri në 20 Qershor kur edhe u sulmuan sistemet online të Bashkisë Tiranë, duke sjellë rrëzimin e tyre. /ekofin.al




