Të ardhurat e pushtetit vendor për vitin 2024 u rritën me 27%, ose 9.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave nga “Analiza e Financave Vendore”, bashkitë kanë mbledhur rreth 44.4 miliard lekë nga të cilat rreth 40.3 miliard lekë ose 91% e zënë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore dhe pjesa tjetër prej 4.1 miliard lekë ose 9% janë të ardhurat jotatimore.
Burimi me peshën më të madhe në të ardhurat e veta vendore gjatë vitit 2024, është taksa e ndikimit mbi infrastrukturë që është rreth 18.5 miliard lekë dhe përbën rreth 42% e të ardhurave të veta vendore. Pavarësisht se në nivel agregat ky burim është më i rëndësishmi për pushtetin vendor, në nivel njësie rreth 77.4% e mbledh vetëm Bashkia Tiranë.
Rreth 25% të totalit të të ardhurave të veta vendore ose 11.1 miliard lekë pushteti vendor i ka mbledhur nga tarifat vendore, ndërkohë pjesa tjetër prej 76% janë nga taksat vendore. Në vitin 2024, të ardhurat nga taskat mbi pasurinë janë rreth 7.6 miliard lekë ose 19% të totalit të të ardhurave të veta të pushtetit vendor. Vetëm bashkia Tiranë nga këto burime ka siguruar 3.7 miliard lekë ose 49% të këtij burimi të të gjithë pushtetit vendor.
Taksa mbi ndërtesën zë rreth 78% të totalit të të ardhurave nga taksat mbi pasurinë, ndërkohë në vitin 2024 janë rritur të ardhurat nga transaksionet e pasurive të paluajtshme me rreth 4.51%.
Të ardhurat e veta vendore në vetëm 10 bashki ose 16.4% të bashkive të Shqipërisë kanë rënie në raport me një vit më parë, ndërkohë pjesa tjetër prej 51 bashkive kanë patur rritje të të ardhurave të veta.
Bashkitë me rënien më të madhe janë bashkia Patos me rreth 76% ose 10.6 milion lekë më pak së në vitin 2023. Më pas, bashkitë Poliçan dhe Këlcyrë kanë një rënie me rreth 35% dhe 19% ose rënie në vlerë absolute përkatësisht 44.4 milion lekë dhe 2.1 milion lekë.
Rritjen më të madhe për vitin 2024 e ka bashkia Tiranë me rreth 6.1 milion lekë më shumë krahasuar me vitin 2023. Bashkitë e tjera të cilat kanë një rritje të konsiderueshme në raport me vitin 2023 janë bashkia Kamëz me rreth 724 milion lekë dhe bashkia Durrës me rreth 448 milion lekë.
Bashkia Tiranë ka mbledhur rreth 25.7 miliard lekë të ardhura të veta vendore ose rreth 58% të të ardhurave të pushtetit vendor. Krahasuar me një vit më parë, bashkia ka mbledhur rreth 6.1 miliard lekë ose 64% të totalit të rritjes së të ardhurave të veta vendore. 6 bashkitë me mbi 100 mijë banorë (pa bashkinë Tiranën) ose 9.8% e totalit të bashkive kanë akumuluar gjatë vitit 2024 rreth 8.5 miliard lekë ose ndryshe rreth 19.1% të totalit të të ardhurave të pushtetit vendor.
Në vitin 2024, Bashkia Himarë ka vlerën me të madhe të të ardhurave për banor me rreth 42 967 lekë, pas saj Bashkia Tiranë 37 513 lekë dhe bashkia Sarandë me rreth 22 252 lekë. Ndërkohë, bashkitë me nivelin më të ulët të të ardhurave për banor janë bashkia Pustec me 1 164 lekë për banor dhe bashkia Has me 1 200 lekë për banor. /ekofin.al


