“Thinking Machines Lab” i Mira Muratit, vlerësohet në 10 miliardë dollarë pas mbledhjes së fondeve prej 2 miliardë dollarësh, sipas Financial Times, raporton ekofin.al.
Në janar të këtij viti, pasi u largua nga kompania që prodhoi ChatGPT, shqiptarja e talentuar, së bashku me disa inxhinierë dhe ekspertë krijuan projektin “Thinking Machines Lab”.
Drejtues të tjerë kryesorë në ekipin e Muratit përfshijnë John Schulman, i cili bashkëthemeloi OpenAI në 2015 dhe do të jetë shkencëtari kryesor në Thinking Machines Lab, dhe Barret Zoph, i cili shërbeu si zëvendës president i OpenAI i kërkimit dhe do të jetë CTO i startup-it të ri.
Kompania start-up do të fokusohet në ndërtimin e modeleve dhe produkteve të inteligjencës artificiale që mbështesin më shumë “bashkëpunim njerëzor-AI” në çdo fushë të punës.
Së fundmi edhe Qeveria Shqiptare u bë aksionere në projektin e ri të Mira Muratit. Përmes ndryshimeve në buxhet me Akt Normativ, shteti shqiptar investoi 10 milionë dollarë në projektin e ri të Muratit.
Në argumentimin e vendimit theksohej se startupi i drejtuar nga Mira Murati është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, që pritet t’i sjellë përfitime edhe Shqipërisë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe sa i përket imazhit të vendit.
Në fakt, shenjat e para janë që shqiptarja dhe bashkëpunëtorët e saj të shkëlqejnë në projektin e ri. Mbledhja e fondeve ka ecur shumë mirë dhe vlera e “Thinking Machines Lab” vetëm rritet. /ekofin.al
