Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë tendencën për profesionet më të kërkuara sipas arsimit dhe kategorive të punësimit për periudhën mars-maj 2025.
Në sektorin privat në grupin e punonjësve me arsim të lartë kërkohen më shumë ekonomistë, menaxherë, specialistët e komunikimit dhe inxhinierët civilë dhe mekanikë. Ajo që bie më sy për këtë kategori arsimimi është kërkesa në rënie për juristë dhe dentistë.
Po në sektorin privat, kamarierët dhe banakierët, por edhe kuzhinierët kryesojnë listën e kërkesës për punonjës me arsim të mesëm, kjo edhe bazuar në shifrat e fundit të turizmit ku shërbimet janë gjithmonë në kërkim për fuqi punëtore, sidomos me afrimin e sezonit turistik. Gjithashtu, vijon të mbetet e lartë kërkesa për shoferët e makinerive të rënda, duke pasur parasysh edhe zhvillimin e madh të ndërtimeve në vend.
Në grupin e tretë për punonjësit pa arsim, në sektorin privat dominojnë kërkesat për punonjës pastrimi, ndihmëskuzhinier, punëtorë krahu ndërtimi, sistemues mallrash. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive përmes portalit puna.gov.al paraqitet dhe përditëson vazhdimisht kërkesat për punë, kryesisht nga sektori privat. /ekofin.al



