Kontrolli i Brendshëm Financiar gjatë vitit 2024 ka evidentuar problematika në hallka të ndryshme të sistemit të kontrollit të brendshëm në njësitë e qeverisjes në nivel qendror dhe vetëqeverisjes vendore, ashtu dhe në agjencitë shtetërore dhe shoqëritë aksionere publike.
Sipas raportit, në shoqëritë aksionere të audituara nga Njësia e Auditimit të Brendshëm (NJAB) janë evidentuar mangësi serioze në disa sisteme kyçe të funksionimit institucional. Më konkretisht, në sistemin e kontrollit të brendshëm mungojnë dokumente dhe mekanizma themelorë si: regjistri i riskut, strategjia për menaxhimin e riskut, gjurmët e auditimit dhe manualet e proceseve të punës.
Në sistemin e prokurimeve janë konstatuar shkelje të procedurave si: mospërgatitja e regjistrit të parashikimeve, moszbatimi i gjurmëve të auditimit dhe gabime në llogaritjen e fondit limit. Sistemi i kontabilitetit dhe raportimit publik paraqet gjithashtu probleme në menaxhimin e bazës materiale dhe mungesën e përgjegjësive të qarta.
Ndërsa në sistemin e pagesave ka shkelje në kompensimin e orëve shtesë, udhëtimet dhe shpërblimet, pa dokumentacion mbështetës ligjor. Auditimi i brendshëm konstaton se këto sisteme nuk funksionojnë në mënyrë efektive dhe mungojnë procedurat e miratuara për funksionimin e tyre, gjë që përkeqësohet edhe më shumë për shkak të kompleksitetit ligjor që rrethon aktivitetin e këtyre shoqërive publike.
Përgjithësisht konkludohet se dobësitë e theksuara në sistemet kryesore të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm tregojnë për një mungesë të thellë të kulturës institucionale të përgjegjshmërisë dhe qeverisjes së mirë në shoqëritë publike.
Pa një ndërhyrje të menjëhershme për të ndërtuar struktura funksionale dhe të dokumentuara të kontrollit të brendshëm, si dhe për të thjeshtuar dhe zbatuar kuadrin ligjor në mënyrë efikase, këto institucione rrezikojnë të humbasin efektivitetin, transparencën dhe besimin e publikut, thekson raporti. /ekofin.al
