Sektori i Bujqësisë pritet të mbështetet me garanci të re sovrane në masën 3 miliardë lekë, si pjesë e skemës mbështetëse me kredi të lehtësuar, miratuar nga Banka e Shqipërisë në Janar 2025.
Siç mëson ekskluzivisht ekofin.al, Ministria e Financave ka propozuar ndryshimin e radhës për buxhetin e vitit 2025, që pritet të miratohet nesër me Akt Normativ.
Në vijim të mbështetjes së sektorit privat dhe lehtësimin e aksesit në financë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Ministria e Bujqësisë ka propozuar një skemë të re garancie në mbështetje të programit të rifinancimit për bankat tregtare, elementët kryesorë të së cilës përfshijnë garanci sovrane të qeverisë me mbështetje për bankat tregtare, duke mbuluar 70% të principalit të kredive, me një fond prej 3 miliardë lekë për sektorin e bujqësisë.
Skema gjithashtu pëfshin kredi preferenciale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku norma e interesit kufizohet në një tavan prej 2% në rastin e kombinimit me produktin e Bankës Qendrore, 3.5% në rastet e tjera dhe kërkesat për kolateral nga bankat duhet të reduktohen me 70%.
Gjithashtu, pjesë e skemës është edhe mbështetja për investime gjithmonë në sektorin bujqësor, ku fokusi janë investimet për asetet fizike dhe teknologjike që rrisin kapacitetin prodhues, cilësinë e prodhimit dhe eficencën operacionale të këtyre subjekteve në drejtim të diversifikimit të fermës; Infrastrukturës së agropërpunimit; Modernizimit të mekanikës bujqësore; Investimeve në agroturizëm; zhvillimit të peshkimit, akuakulturës, menaxhimit të mbetjeve, etj. /ekofin.al
