Sektori i shëndetësisë po përballet me një nivel shqetësues mungese transparence dhe konkurrence në prokurimet publike gjatë vitit 2025. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Open Data Albania për periudhën janar – qershor 2025 tregojnë se 80% e tenderave me fitues në shëndetësi rezultojnë më flamur të kuq, shkalla më e lartë që nga fillimi i monitorimit.
Sipas të dhënave kryesore për këtë periudhë nga 594 tendera, kanë rezultuar me fitues 187 prej tyre dhe janë shënuar me flamur të kuq, që do të thotë rrezik për konkurrencë të parregullt 151 të tillë, ose 80% e tyre.
Të dhënat përmbledhëse historike midis viteve 2016- deri në maj 2025 tregojnë se janë zhvilluar gjithsej 26,880 tendera dhe janë shënuar për parregullsi me flamur të kuq 9,465 të tillë ose 35% në afatgjatë.
Këto shifra tregojnë për një rritje dramatike të rrezikut gjatë vitit 2025 krahasuar me vitet e mëparshme.
Po sipas të dhënave të sistemit të prokurimeve, 57% e tenderëve në kujdesin shëndetësor zhvillohen vetëm me një operator, gjë që sinjalizon mungesë konkurrence, duke treguar potencialisht fitues të paracaktuar ose favorizim.
Që nga viti 2016 rezultojnë 1,050 operatorë ekonomikë që kanë fituar tendera, ku mesatarisht, secili operator ka fituar rreth 25 kontrata, megjithëse disa kanë dukshëm më shumë.
Operatorët kryesorë sipas vlerës së kontratës në kujdesin shëndetësor përfshijnë kompanitë “Distrimed” sh.p.k, “Biometric Albania”, “ABI’S” sh.p.k, ndërsa sipas numrit të kontratave “Aldosch Farma” mban numrin më të lartë të kontratave të dhëna.
Rritja e ndjeshme e tenderëve me flamuj rreziku konkurrence në vitin 2025 është një alarm i kuq që tregon mungesë transparence, favorizim të mundshëm ose fitues të paracaktuar, përdorim joefikas të fondeve publike në një sektor jetësor si kujdesi shëndetësor. /ekofin.al

