Me qëllim reduktimin e varfërisë për të moshuarit, një nga drejtimet është dhe krijimi i lehtësirave fiskale, të tilla si përjashtimi nga taksat për pronat e pasurive të patundshme të pronarëve të moshuar.
Sipas Dokumentit Politik të Moshimit dhe Planit të Veprimit 2025-2030, kjo vlen për taksat që vendosen për shtëpitë e banimit, tokën, apo ullinjtë e vreshtat në zonat rurale apo dhe në rastet e apartamenteve, shtëpive në bregdet apo zona malore, të cilat mund të përdoren si AirBnB dhe shfrytëzohen për përfitime personale me qëllim rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e varfërisë kur pronarët janë individë të moshës 60+.
Dokumenti synon lehtësira fiskale për shpenzime që lidhen me kujdesin afagjatë përgjatë gjithë ciklit të jetës të tilla si heqja e tarifave të shërbimit për shtëpitë e pleqve ose për shërbimet shëndetësore, apo taksat vendore.
Reduktimi i çmimeve të energjisë elektrike, duke i klasifikuar të moshuarit si kategori në nevojë, mbulimi i kostove të strehimit nëpërmjet bonusit të qerave, apo mbulimi i kostove të transportit publik nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërhyrje të cilat përmirësojnë jetesën e individëve të moshuar.
Rishikimi i listës së barnave të rimbursueshme me qëllim reduktimin e kostove të jetesës, e veçanërisht për të moshuarit që janë me diabet, Alzhaimer, Parkinson, probleme të shëndetit mendor apo që kanë humbur autonominë, të cilët jetojnë të vetmuar.
Sa u përket rezultateve të pritshme ato përfshijnë ofrimin e mbështetjes ekonomike për përmirësimin e cilësisë së jetesës për individët e moshës së tretë, duke reduktuar barrën fiskale dhe duke mundësuar një nivel më të mirë mirëqënieje, nëpërmjet uljes së taksave, reduktimin e tatimeve dhe përjashtime nga disa detyrime fiskale.
Për këtë qëllim do të kryhet analizë ligjore dhe ndryshimet respektive ligjore ,me qëllim që të gjithë të moshuarit që përfitojnë pension social apo të ardhura nën nivelin e pensionit mesatar të përjashtohen nga taksa mbi pronën.
Gjithashtu synohet përfshirja e të moshuarve 60+ në kategorinë e klientit në nevojë për efekt të përfitimit nga reduktimi i çmimit të energjisë elektrike; lëshimi i kartës së pensionistit nga të 61 bashkitë, duke mundësuar përfitimin e transportit publik falas, si dhe heqjen e detyrimeve si taksa e pushtetit vendor, për të moshuarit dhe lehtësira të tjera në strehim apo shërbime. /ekofin.al
