Të moshuarit do të kenë universitetin e tyre. Dokumenti Politik për moshimin dhe planin e veprimit 2025-2030 synon një jetë më aktive për personat mbi 50 vjeç.
Si përpjekje për të promovuar përfshirjen aktive të moshës së tretë në jetën publike dhe arsimore të vendit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) do të ndërmarrin dy iniciativa të rëndësishme me ndikim social dhe ekonomik: Universiteti i Moshës së Tretë dhe projekti pilot “Të birësojmë një shkollë”.
Ky universitet synon të krijojë një hapësirë arsimore dhe sociale për personat mbi 50 vjeç, duke i ofruar atyre mundësi për të ndjekur kurse me kohë të pjesshme në fusha të ndryshme si arti, gjuha, historia, shkenca, filozofia dhe temat e ditës. Krahas mësimdhënies, kjo qasje synon të forcojë lidhjen sociale, të reduktojë vetminë dhe të përmirësojë shëndetin mendor të të moshuarve.
Për të moshuarit, lidhja sociale është veçanërisht e rëndësishme për të reduktuar faktorët e rrezikut si izolimi social dhe vetmia. Në këtë fazë të jetës, aktivitetet shoqërore kuptimplotë mund të përmirësojnë ndjeshëm shëndetin mendor, rrisin kënaqësinë nga jeta dhe cilësinë e jetës, ato gjithashtu mund të zvogëlojnë simptomat e depresionit. Shembuj të ndërhyrjeve përfshijnë nismat e miqësisë me komunitetin dhe grupet mbështetëse, trajnimin e aftësive sociale, grupet e arteve krijuese, shërbimet e kohës së lirë dhe arsimore dhe programet e vullnetarizmit, thuhet në dokument.
Ky model bazohet në praktika të suksesshme ndërkombëtare si ai francez dhe britanik, dhe parashikohet të nisë me krijimin e një institucioni pilot në Tiranë, ku 80 individë të moshuar do të ndjekin programet e para.
Treguesit e performancës përfshijnë iniciimin dhe miratimin e akteve ligjore për funksionimin e universitetit, si dhe hartimin e kurseve dhe aktiviteteve edukative, sociale dhe kulturore.
Po kështu, të moshuarit pritet të marrin pjesë në projektin pilot “Të birësojmë një shkollë”, një tjetër nismë transformuese, ku grupe të moshuarish, ish-mësues, profesionistë në pension apo përfaqësues të OJF-ve do të angazhohen vullnetarisht në institucione arsimore, duke ofruar mentorim, leksione, trajnime, diskutime dhe aktivitete komunitare.
Ky projekt ka për qëllim të forcojë ndërveprimin mes brezave dhe të përcjellë vlera të solidaritetit, respektit dhe përfshirjes sociale te të rinjtë.
Sipas dokumentit, këto dy iniciativa parashikojnë ulje të kostove sociale afatgjata përmes përmirësimit të mirëqenies mendore dhe fizike të të moshuarve, reduktimit të izolimit social dhe aktivizimit të një burimi të vlefshëm njerëzor që shpesh mbetet i pashfrytëzuar. Për më tepër, ato nxisin ekonominë e kujdesit, bashkëpunimin institucional dhe zhvillimin e komuniteteve të qëndrueshme./ekofin.al
