Banka Qendrore Evropiane uli normat e interesit siç pritej të enjten dhe mbajti të gjitha opsionet në tryezë për takimet e saj të ardhshme, edhe pse rriten mundësitë për një pauzë verore në ciklin e saj të lehtësimit njëvjeçar.
BQE-ja tani ka ulur kostot e huamarrjes tetë herë, ose me 2 pikë përqindjeje që nga qershori i kaluar, duke kërkuar të mbështesë një ekonomi të eurozonës që po luftonte edhe para se politikat e çrregullta ekonomike dhe tregtare të SHBA-së t’i jepnin goditje të mëtejshme.
Me inflacionin që tani është në përputhje të sigurt me objektivin prej 2% dhe uljen e parashikuar mirë, fokusi është zhvendosur te mesazhi i BQE-së në lidhje me rrugën përpara, veçanërisht pasi me 2%, normat tani janë në diapazonin “neutral” ku ato as nuk stimulojnë dhe as nuk ngadalësojnë rritjen.
Banka qendrore e 20 vendeve që ndajnë euron ofroi pak në deklaratën e saj, megjithatë, duke iu përmbajtur motos se vendimet do të merren takim pas takimi dhe bazuar në të dhënat hyrëse.
“Këshilli Drejtues nuk është duke u zotuar paraprakisht për një rrugë të caktuar të normës së interesit,” tha BQE. “Vendimet për normat e interesit do të bazohen në vlerësimin e saj të perspektivës së inflacionit në dritën e të dhënave hyrëse ekonomike dhe financiare, dinamikës së inflacionit bazë dhe forcës së transmetimit të politikës monetare.” /Përshtati nga Reuters, ekofin.al
