Shqipëria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të transparencës dhe standardizimit në raportimin e cilësisë së ajrit.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka miratuar përmes Udhëzimit Nr. 2 dhe Urdhrit Nr. 189, tashmë të botuar edhe në Fletoren Zyrtare, formatet për raportin vjetor dhe raportin trevjeçar mbi ndotjen atmosferike dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e cilësisë së ajrit.
Raporti vjetor, që do të hartohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), ka për qëllim të japë një pasqyrë të detajuar mbi ndotjen atmosferike në të gjithë territorin e vendit.
AKM-ja do të hartojë dhe menaxhojë Regjistrin Kombëtar të Burimeve të Ndotjes së Ajrit. Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave për hartimin e raportit kombëtar të inventarit të shkarkimeve të marra për çdo vit bazohet në metodologjinë e dhënë në udhëzues dhe Konventën Ndërkombëtare për Inventarin e Shkarkimit të Ndotësve të Ajrit.
Formati i miratuar përcakton që raporti të përmbajë të dhëna të detajuara nga rrjeti i monitorimit automatik dhe manual të cilësisë së ajrit; përqendrimet mesatare ditore dhe vjetore për ndotës si PM10, PM2.5, NO₂, SO₂, O₃ dhe CO; numrin e ditëve me tejkalim të vlerave kufi dhe identifikimin e zonave me ndotje të lartë; prezantim të dhënash në formë tabelare, grafike dhe hartografike (GIS) për një analizë më të qartë dhe vizuale, si dhe vlerësim të zonave/aglomera që kërkojnë ndërhyrje për përmirësimin e cilësisë së ajrit etj.
Gjithashtu, duhet të paraqitet treguesi i llogaritur i ekspozimit të popullsisë urbane ndaj veprimit të grimcave të pluhurit PM10 dhe PM2,5 që tregon përqendrimin mesatar ndaj të cilit është i ekspozuar çdo banor i mjedisit urban në Republikën e Shqipërisë. Për këtë qëllim AKM-ja mund të kërkojë të dhëna nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë për të plotësuar raportin me statistikat e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit në vend.
Në vijim, urdhri për raportin trevjeçar përcakton një analizë më të gjerë dhe më strategjike, që përfshin, gjendjen e përgjithshme të ajrit për një periudhë 3-vjeçare sipas zonave dhe burimeve ndotëse, krahasim të të dhënave ndër vite për të identifikuar tendencat dhe efektivitetin e politikave mjedisore.
Nga përpunimi statistikor i rezultateve të vlefshme të marra nga rrjeti i monitorimit kombëtar dhe lokal për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis gjatë periudhës 3-vjeçare të raportimit paraqiten tejkalimet e vlerave kufitare për ndotësit e analizuar, nëse janë gjendur mbi vlerat maksimale të lejuara dhe të tregohen burimet përkatëse të tyre.
Bazuar në rezultatet vjetore të monitorimit për çdo ndotës të matur, duhet të tregohet cilësia e ajrit për çdo zonë, aglomerat dhe të bëhet vlerësimi i gjendjes së cilësisë së ajrit për gjithë territorin. Po kështu, duhet të tregohet gjendja e cilësisë së ajrit në mjedis të gjetur, bazuar në matjet që janë kryer në rrjetin kombëtar dhe lokal të monitorimit gjatë periudhës 3-vjeçare.
Analiza e cilësisë së ajrit në mjedis gjatë periudhës 3-vjeçare (bazuar në raportin vjetor të monitorimit të ajrit në mjedis dhe inventarin e shkarkimeve në ajër, si dhe masat e ndërmarra në vend apo për përmirësimin dhe mbrojtjen e cilësisë së ajrit), shërben për të hartuar, miratuar planet e masave që duhen ndërmarrë në vijim për mbrojtjen dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit në mjedis në territorin e Republikës së Shqipërisë, thuhet në dokument.
Për herë të parë, raportet do të ndjekin një strukturë të unifikuar dhe të krahasueshme me standardet e BE-së, duke forcuar bazën për politika të bazuara në prova dhe planifikim të integruar mjedisor. Raportet do të shërbejnë gjithashtu si referencë për publikun, komunitetin shkencor, investitorët dhe organizatat ndërkombëtare./ekofin.al
