Shqipëria vazhdon të përballet me nivelin më të lartë të ekonomisë informale në Ballkanin Perëndimor, sipas Raportit Global për Ekonominë Informale 2025 të Ernst & Young. Megjithëse vendi ka bërë përparim të qëndrueshëm në dy dekadat e fundit në uljen e informalitetit, ai vazhdon të dallohet në rajon për përqindjen më të lartë të PBB-së që gjenerohet nga aktivitete të paregjistruara ose të pataksuara.
Të dhënat për vitin 2023 tregojnë se Shqipëria kryeson ekonominë informale në Ballkan me 27.8% e PBB, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 18.6%, Maqedonia e Veriut: 17.9%, Serbia: 17.2% dhe Mali i Zi me 13.6% (më i ulëti në rajon).
Megjithëse Shqipëria ka ulur gradualisht informalitetin (me 11.3 pikë përqindjeje që nga viti 2000 dhe 6.2 pikë në dekadën e fundit), ritmi i formalizimit është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit. Midis viteve 2019 dhe 2023, informaliteti është reduktuar vetëm me 1.6 pikë përqindjeje.

Shqipëria kryeson rajonin për informalitet
Sipas raportit, ekonomia informale përfshin punësimin e padeklaruar, shmangien e taksave, tregtinë informale dhe bizneset e paregjistruara. Sipas gjetjeve të EY, vendet me kapacitet institucional më të ulët, sundim të dobët të ligjit dhe përdorim të lartë të parasë fizike tentojnë të kenë nivele më të larta informaliteti. Në rastin e Shqipërisë, kapaciteti i kufizuar administrativ, përdorimi i parasë cash, sistemi i ndërlikuar i taksave dhe papunësia e qëndrueshme e bëjnë të vështirë formalizimin e plotë.
Sektori informal shërben shpesh si rrjet sigurie për ata që janë të përjashtuar nga punësimi formal, veçanërisht në zonat rurale. Por kjo praktikë i privon institucionet nga të ardhurat tatimore të konsiderueshme dhe dëmton aftësinë e shtetit për të financuar infrastrukturën, shëndetësinë dhe arsimin.
Për të luftuar informalitetin ekspertët rekomandojnë një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin reformat institucionale, fiskale dhe teknologjike si fuqizimin e administratës publike dhe zbatimit të ligjit, thjeshtimin e sistemit të taksave, nxitjen e përdorimit të pagesave digjitale për të reduktuar varësinë nga paraja fizike.
Shkalla e ekonomisë informale botërore
Ndërkohë në rang botëror, vlera e ekonomisë informale globale vlerësohet të jetë e barabartë me 11.8% të PBB-së bazuar në analizën e 131 vendeve nga Ernst & Young.
Në rreth gjysmën e vendeve të analizuara, ekonomia informale është e barabartë me 19% të PBB-së. Në 119 vende, madhësia e ekonomisë së tyre informale ra midis viteve 2000 dhe 2023, me uljet më të mëdha të vërejtura në vendet me të ardhura të ulëta.
Ekonomia informale përfaqëson aktivitete biznesi të paraportuara që përfshin nga ndërmarrjet e paligjshme deri te transaksionet me para në dorë të fshehura nga kontrolli i qeverisë.
Këto aktivitete përbëjnë pjesën më të lartë të PBB-së në të gjithë Afrikën Lindore (41.6% të PBB-së) dhe pjesën më të ulët në Amerikën e Veriut (5% të PBB-së).
Në përgjithësi, Sierra Leone ka ekonominë informale më të madhe si pjesë e PBB-së, me 64.5%, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndër më të ulëtat, me 2.1%./ekofin.al
