Zbritje të rreme, shitje me presion dhe praktika të tjera në faqen kineze të modës Shein shkelin ligjin, thotë Bashkimi Evropian.
Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar se praktikat e faqes kineze të modës së shpejtë Shein, përfshirë zbritjet mashtruese dhe presionin ndaj konsumatorëve për të blerë, përbëjnë shkelje të ligjit.
Blloku i ka dhënë Shein-it një afat prej një muaji për të reaguar ndaj gjetjeve të tij, përndryshe rrezikon gjoba të bazuara në shitjet e saj në vendet e BE-së ku janë konstatuar shkeljet.
“Tani i takon Shein-it të ndërmarrë veprime, të respektojë rregullat dhe të përshtatë praktikat e saj me standardet e konsumatorëve në BE,” – tha komisioneri i drejtësisë i BE-së, Michael McGrath.
Zëdhënësi i Shein u shpreh:
“Prioriteti ynë mbetet të sigurojmë që konsumatorët evropianë të kenë një përvojë të sigurt, të besueshme dhe të këndshme gjatë blerjeve online.”
Gjetjet e hetimit të BE-së
BE bëri të ditur të hënën se hetimi i saj në vijim nga autoriteti për të drejtat e konsumatorëve ka identifikuar një gamë të gjerë praktikash problematike në platformën Shein që shkelin ligjet e BE-së.
Këto përfshijnë informacione mashtruese, etiketa të pasakta produktesh, pretendime të rreme për qëndrueshmëri mjedisore, fshehje të të dhënave të kontaktit të kompanisë.
U evidentuan gjithashtu raste ku platforma shtirej se ofronte zbritje, duke shfaqur ulje çmimesh që nuk bazoheshin në çmimet e mëparshme reale, si dhe përdorimi i afateve të rreme kohore për të nxitur konsumatorët të blejnë në mënyrë të nxituar.
BE i ka kërkuar gjithashtu Shein-it të sigurojë që vlerësimet dhe komentet për produktet të mos paraqiten në mënyrë mashtruese për konsumatorët.
“Të gjitha kompanitë që operojnë me konsumatorë të BE-së duhet të respektojnë rregullat tona. Veprimi i sotëm dërgon një mesazh të qartë: nuk do të hezitojmë të kërkojmë llogari nga platformat e-commerce, pavarësisht vendit të origjinës,” – shtoi McGrath.
Zëdhënësi i Shein deklaroi se kompania ka qenë: “duke bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me autoritetet kombëtare të konsumatorëve dhe Komisionin Evropian për të dëshmuar përkushtimin tonë ndaj zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve të BE-së, dhe po vazhdojmë të angazhohemi për të adresuar çdo shqetësim.”
Kritika ndaj Shein
Shein është përballur edhe më parë me kritika për mënyrën e të bërit biznes. Një raport i BBC-së në janar zbuloi se disa punonjës të Shein punonin 75 orë në javë, në shkelje të ligjeve të punës në Kinë.
Po atë muaj, deputetë britanikë akuzuan Shein për “mosdije të qëllimshme”, pasi avokati i kompanisë refuzoi të përgjigjej në mënyrë të përsëritur për burimin e pambukut që kompania përdor.
Në përgjigje të hetimit të BBC-së mbi kushtet e punës, Shein deklaroi se është “e përkushtuar për të siguruar trajtim të drejtë dhe me dinjitet për të gjithë punëtorët në zinxhirin tonë të furnizimit” dhe se po investon dhjetëra miliona dollarë për forcimin e qeverisjes dhe përputhshmërisë ligjore.
“Ne synojmë të vendosim standardet më të larta për pagesat dhe kërkojmë që të gjithë partnerët në zinxhirin e furnizimit të respektojnë kodin tonë të sjelljes,” – tha kompania./Përshtati nga BBC, ekofin.al
