Kodi Ndërkombëtar i Etikës për Profesionistët Kontabël, përfshirë standardet ndërkombëtare të pavarësisë është tashmë në fuqi prej datës 22 maj 2025.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike, përmes vendimit për zbatimin e këtij Kodi, synon të garantojë rritjen e besimit të publikut në auditimet ligjore dhe raportimin financiar, por njëkohësisht të sigurojë që audituesit dhe kontabilistët shqiptarë veprojnë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Audituesi ligjor Julian Saraçi në një prononcim për ekofin.al, thotë se publikimi zyrtar dhe përkthimi në gjuhën shqipe i Kodit të Etikës së IESBA-s 2023 është një zhvillim mjaft pozitiv për profesionin e audituesve dhe kontabilistëve, e vetë biznesin në Shqipëri. Ai e vendos praktikën e kontabilitetit dhe auditimit në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke rritur integritetin, transparencën dhe besueshmërinë e profesionistëve që veprojnë në këtë fushë.
Zoti Saraçi shton se në një ekonomi që synon të forcojë institucionet dhe të integrohet më tej në tregjet evropiane dhe globale, ligjërimi tashmë i këtij kodi i jep një bazë të qartë profesionale dhe etike audituesve dhe kontabilistëve, duke theksuar vlerat e pavarësisë, objektivitetit, profesionalizmit, konfidencialitetit, kompetencës dhe integritetit. Kjo rrit ndjeshëm cilësinë e informacionit financiar dhe i shërben zhvillimit të përgjegjshëm të sektorit privat dhe publikut më gjerë.
Megjithatë, sfida kryesore, thotë Saraçi, qëndron tek zbatimi i Kodit në praktikë, jo vetëm në letër. Në një ambient ku kultura institucionale shpesh përballet me probleme të informalitetit, ndikimeve të jashtme mbi vendimmarrjen profesionale, pragmatizmin e shëmtuar në kurriz të profesionit nga pazarxhinjtë, zbatimi i Kodit kërkon më shumë sesa njohje teorike. Kërkon një angazhim të qëndrueshëm nga institucionet rregullatore, shoqatat profesionale dhe vetë profesionistët, – thotë ai.
Përdorimi i vërtetë i standardeve të etikës kërkon jo vetëm njohje formale të rregullave, por edhe përfshirje të thellë të tyre në vendimmarrjen e përditshme profesionale. Për këtë arsye, nevojitet një angazhim i shtuar për edukim dhe formim të vazhdueshëm profesional, ku Kodi të shpjegohet me raste konkrete dhe të aplikohet në situata reale të punës. Gjithashtu, roli i shoqatave profesionale, si IEKA, IKM, SHFKSH është shumë i rëndësishëm për të kultivuar një frymë përgjegjësisë profesionale përtej asaj personale, ku etika nuk mbetet thjesht një detyrim ligjor, por bëhet pjesë e identitetit profesional.
Sipas Saraçit, nxitja e diskutimeve të hapura mbi dilemat etike dhe krijimi i një mjedisi mbështetës për raportimin dhe adresimin e praktikave joetike do të ishin hapa konkretë për ta bërë Kodin një realitet të jetuar në Shqipëri. /ekofin.al
