Një nga çështjet më të ndjeshme për integritetin e auditimit financiar në Shqipëri, por edhe në të gjithë Evropën, është varësia ekonomike e firmave të auditimit nga një klient i vetëm. Kjo praktikë, në dukje normale në tregjet e vogla, përbën një kërcënim serioz për pavarësinë e audituesve, sipas Kodit Ndërkombëtar të Etikës për Profesionistët Kontabël, tashmë i miratuar për zbatim me vendim të Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe botuar në Fletoren Zyrtare.
Kodi përcakton qartë se kur një firmë auditimi merr mbi 15% të të ardhurave të saj nga një klient i vetëm, kjo konsiderohet kërcënim i rëndësishëm për pavarësinë. Në këto raste, firma duhet të: vlerësojë rrezikun etik dhe profesional, dhe të marrë masa mbrojtëse të dokumentuara, si rishikim i punës nga një palë e tretë e pavarur apo edhe rotacion të stafit auditues.
Nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme për të garantuar pavarësinë, Kodi udhëzon që firma të refuzojë ose të tërhiqet nga angazhimi i auditimit.
Në Shqipëri, ku shumë firma të auditimit veprojnë me portofol të kufizuar klientësh, varësia nga një ose dy klientë të mëdhenj është një realitet i zakonshëm. Megjithatë, Kodi nuk bën përjashtime për madhësinë e tregut.
Për firmat e vogla që nuk mund të mbijetojnë pa klientë dominues, Kodi thekson se kjo nuk mund të justifikojë mosmarrjen e masave parandaluese, dhe kërkon që situata të tilla të jenë të përkohshme dhe firma të ndërtojë plane për diversifikimin e portofolit. Për më tepër ajo duhet të ketë monitorim të shtuar etik të angazhimit.
Pse ka rrezik?
Kur një auditues apo firmë auditimi merr një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të saj nga një klient i vetëm, mund të lindin disa kërcënime ndaj pavarësisë, si interesi vetjak: audituesi mund të shmangë konstatime të ndjeshme për të mos humbur të ardhurat ose mund të lindë frika për humbje kontrate që ndikon në objektivitetin gjatë auditimit.
Nëse një auditues i lidhur ngushtë ekonomikisht me një klient shmang deklarimin e parregullsive, ai rrezikon jo vetëm reputacionin profesional, por edhe masa disiplinore nga autoritetet mbikëqyrëse, përfshirë vërejtje dhe sanksione administrative, pezullim apo revokim licence e deri në referim për hetim në raste të rënda. /ekofin.al
