Pas miratimit në mars të VKM për normat e shfrytëzimit të hoteleve dhe strukturave akomoduese, tatimet kanë publikuar një njoftim me udhëzime sesi duhet të veprojnë bizneset për të bërë deklarimin e kapaciteteve për efekt tatimi.
Përdorni emërtimin e saktë në faturat për shërbimin e akomodimit
Në faturat e lëshuara dhe të fiskalizuara për shërbimin e akomodimit, ju lutemi të siguroheni që përshkrimi i artikullit në faturë të fillojë detyrimisht me emërtimin “Dhomë”.
Specifikoni qartë kohëzgjatjen
Është thelbësore që në çdo faturë të specifikohet saktësisht numri i ditëve apo netëve të qëndrimit në strukturën akomoduese, duke shmangur përshkrime të përgjithshme si “paketë javore” apo “ditore”.
Ndani qartë shërbimet
Në faturat e lëshuara duhet të jetë i ndarë qartë çmimi i përcaktuar për shërbimin e akomodimit nga shërbimet e tjera (restorant/çadra/shezlongë/pishinë), përveç rasteve kur shërbimi i akomodimit ofrohet në paketë të përcaktuar me shërbime shtesë. Subjektet që ofrojnë shërbimin e tyre dhe në stacione plazhi, të mundësojnë lëshimin e faturës për çdo shezlong/ çadër.
Aplikoni saktë shkallën e TVSH-së
Ju sjellim në vëmendje se shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 6% aplikohet vetëm për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit si dhe përcaktimeve mbi Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Tatimet theksojnë se udhëzimet i ndihmojnë bizneset të jenë në përputhje me ligjin dhe të plotësojnë detyrimet që rrjedhin prej tij. Sipas vendimit, bujtinat, motelet, hotelet, resortet, strukturat e trashëgimisë kulturore, blloqet e apartamenteve apo hotelet e shpërndara, sipas sezoneve duhet të deklarojnë jo më pak se 30% dhe 65% të kapaciteteve totale. /ekofin.al
