Nga 1 korrik 2025 kreditë bankare për shtëpi do të kenë tavan në raport me vlerën e financimit për banesën, si edhe një tavan për kredinë në raport me të ardhurat e kredimarrësit.
Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka vendosur edhe një kufizim kohor për marrjen e kredisë, më shumë duke iu referuar moshës së pensionit dhe aftësisë paguese të kredimarrësve.
Sipas vendimit, maksimumi i financimit për blerjen e shtëpisë së parë do të jetë 85% për kredinë në lekë, ndërsa për shtëpinë e dytë do të jetë në masën 80%. Ndërsa, për kreditë në valutë, kufizimet do të jenë respektivisht 75% dhe 70%.
Gjithashtu, sipas vendimit, kufizimi për këstin në varësi të të ardhurave në lekë do të jetë në masën 40% të të ardhurave, pra nuk mund të ketë këst kredie për blerje shtëpie që të jetë më i lartë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit. Ndërsa për të ardhurave në valutë, kufizimi do të jetë 45%. Ndërsa për blerjen e shtëpisë së dytë, kufizimet do të jenë respektivisht 35% dhe 30% të të ardhurave.
Ndërkohë, për përcaktimin e vlerës së borxhit të kredimmarrësit, krahas vlerës së kredisë konkrete (dhe të kredive të tjera që ai mund të ketë në sistemin financiar), banka do të përfshijë edhe çdo borxh tjetër të tij për të cilin banka ka siguruar informacion të besueshëm nga komunikimi me kredimmarrësin apo konsultimi paraprak i bazave relevante të të dhënave;
Vendimi u lejon bankat që të zbatojnë kuota përjashtimi nga kufizimet e mësipërme në secilin prej treguesve HnV_D dhe ShBnA, me kushtin që, në total, vlera e kredive të përjashtuara të mos kapërcejë 15 për qind të vëllimit të kredive të reja që janë miratuar dhe disbursuar (edhe pjesërisht) gjatë tremujorit. Në këtë kuotë përjashtimi do të përfshihen lehtësitë e rifinancimit që jepen gjatë tremujorit për kreditë ekzistuese dhe që mund të kapërcejnë kufirin e treguesit.
Bankat duhet t’i identifikojnë kreditë dhe lehtësitë e rifinancimit që përfshihen në kuotën e përjashtimit, në mënyrë individuale dhe t’i evidentojnë ato në mënyrë të dallueshme në raportimin tremujor që kryejnë pranë Bankës së Shqipërisë.
Banka ka vendosur të përjashtojë nga përfshirja në llogaritjen e kufizimeve kreditë që disbursohen në kuadër të skemave që mbështesin politikat publike të strehimit; kreditë që disbursohen për rinovimet e banesave që lidhen me përmirësimin e efikasitetit të energjisë apo kalimin drejt burimeve të energjisë së rinovueshme, deri në vlerën 3 milionë lekë (ose kundërvlera përkatëse në valutë nëse disbursohen në valutë); disbursimin në kuadër të granteve të parikthyeshme publike që lidhen me përmirësimin e efikasitetit të energjisë apo kalimin drejt burimeve të energjisë së rinovueshme, te banesat.
Vendimi gjithashu rekomandon për bankat zbatimin e një kufiri maksimal në afatin e maturimit në disbursim të kredisë, pavarësisht monedhës, sa minimumi midis 30 vjet dhe numri i viteve deri në arritjen e moshës së pensionit të kredimarrësit (ose të kredimarrësit që e arrin këtë moshë më shpejt në rastin e kredisë me bashkëkredimarrës).
Vendimi hyn në fuqi 15 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare dhe efektet e tij nis nga data 1 korrik 2025./ekofin.al