Raporti i UNDP për Zhvillimin Njerëzor tregon se një numër në rritje i kërkimeve ndërkombëtare po zbulon një ndryshim dramatik dhe shqetësues në mirëqenien mendore të të rinjve, veçanërisht në vendet më të pasura dhe të lidhura me teknologjinë.
Dikur e karakterizuar nga një kurbë të mirëqenies në formën e shkronjës U, ku lumturia binte në moshën e mesme dhe rritej përsëri në moshë të madhe, trendet e mirëqenies tani janë përmbysur, me brezat e rinj që raportojnë nivele të paprecedenta dëshpërimi.
Në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera me Indeks të Lartë të Zhvillimit Njerëzor (HDI), kënaqësia nga jeta tashmë rritet me moshën, ndërsa të rinjtë, veçanërisht femrat, raportojnë nivele ndjeshëm më të larta të shqetësimit mendor. Sipas sondazheve globale me përdorues të internetit, 45% e personave të moshës 18–24 vjeç përjetojnë sfida të shëndetit mendor që ndikojnë seriozisht në jetën e përditshme, me gati 70% të vajzave dhe 50% të djemve që raportojnë vështirësi emocionale.
Kjo përmbysje e modeleve psikologjike të njohura nuk është universale. Në shumë pjesë të Afrikës, për shembull, kurba tradicionale e mirëqenies vazhdon të jetë e pranishme. Megjithatë, aty ku ka rënie në shëndetin mendor, studiuesit po theksojnë një faktor të përbashkët: përdorimi masiv dhe i hershëm i smartfonëve.
Një pikë kthese digjitale
Koha është shumë domethënëse. Rënia e mirëqenies filloi rreth vitit 2010 — pikërisht kur smartfonët dhe platformat e rrjeteve sociale u bënë të kudondodhura në mesin e të rinjve. Ata që kishin një smartfon para moshës 13 vjeç raportojnë shëndet mendor dukshëm më të dobët sesa ata që e morën më vonë. Efektet janë më të theksuara për vajzat dhe për ata që morën smartfonin që në moshën 5 apo 6 vjeç.
Studiuesit përmendin disa mekanizma të ndërlidhur si krahasimi i vazhdueshëm social dhe ngacmimi kibernetik në rrjete sociale; cilësi e dobët e gjumit për shkak të veçorive të varësisë së aplikacioneve, zëvendësimi i ndërveprimeve fizike me ato digjitale, që vonon zhvillimin social dhe emocional, si dhe sistemet rekomanduese, të drejtuara nga inteligjenca artificiale, që mund të ekspozojnë përdoruesit ndaj përmbajtjes së dëmshme.
Megjithëse lidhja mes përdorimit të teknologjisë dhe rënies së shëndetit mendor nuk provohet gjithmonë si shkak-pasojë, raporti shqyrton të gjitha rajonet ku qasja në internet është e zakonshme. Në mesin e të rinjve të përfshirë digjitalisht, ata më të ekspozuarit ndaj teknologjisë janë gjithashtu më të rrezikuarit.
Më shumë se thjesht koha në ekran
Ekspertët paralajmërojnë që problemi nuk lidhet vetëm me pajisjet. Ndryshime më të gjera kulturore si rritja e mbrojtjes shtesë, pakësimi i lojës së lirë dhe rritja e vetëdijes për problemet e shëndetit mendor luajnë gjithashtu rol. Pandemia e COVID-19 mund të ketë përkeqësuar tendencat ekzistuese, por ajo nuk është burimi i tyre.
Disa studime e gjurmojnë fillimin e krizës që në fund të viteve 1990.
Ajo që është e qartë është se rënia në mirëqenien mendore të të rinjve filloi para pandemisë, dhe përkon ngushtësisht me shfaqjen e platformave digjitale të drejtuara nga algoritmet. Këto sisteme, të dizajnuara për të mbajtur vëmendjen e përdoruesve, shpesh e bëjnë këtë në kurriz të mirëqenies së tyre.
Një thirrje për veprim
Ndërsa teknologjitë digjitale dhe aplikacionet me inteligjencë artificiale bëhen pjesë gjithnjë e më e madhe e jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve, raporti thekson nevojën urgjente për strategji parandaluese, duke përfshirë: mbrojtje më të forta përballë sistemeve rekomanduese me bazë AI, fushata sensibilizimi për përdorim të shëndetshëm të smartfonëve etj.
Raporti thekson se gjetjet janë një paralajmërim për vendet ku teknologjia nuk është ende përhapur gjerësisht në mesin e të rinjve. Duke kuptuar rreziqet që tani, këto shoqëri kanë një mundësi të rrallë për të vepruar paraprakisht dhe për të siguruar që teknologjia të shërbejë si mjet për zhvillimin njerëzor, jo si pengesë ndaj tij./ekofin.al
