Investitorët shpresonin që trazirat që goditën tregjet financiare muajin e kaluar të kishin përfunduar. Por një tjetër periudhë paqëndrueshmërie në kostot e huamarrjes në SHBA është një shenjë se shqetësimet vazhdojnë të rriten.
Norma e interesit për borxhin afatgjatë të qeverisë amerikane tejkaloi 5% të hënën, përpara se të tërhiqej lehtë. Ky ishte niveli më i lartë që nga tetori 2023. Kjo erdhi pasi Moody’s uli vlerësimin e kreditit të qeverisë amerikane të premten, duke përmendur si shkak kryesor rritjen e borxhit gjatë dekadës së fundit.
Kongresi ndërkohë po avancon një projektligj për taksat dhe shpenzimet që do të shtonte triliona në borxhin aktual prej 36 trilion dollarësh të qeverisë amerikane.
Çfarë është një obligacion qeveritar?
Kur një qeveri dëshiron të marrë para borxh, ajo zakonisht e bën këtë duke shitur bono – nganjëherë të quajtura Thesari – investitorëve në tregjet financiare.
Investitorët blejnë obligacionet, duke i siguruar qeverisë para të gatshme dhe zakonisht paguhen, plus interesat për një numër vitesh të dakordësuara më parë.
Ashtu si me një kredi të rregullt, obligacionet e perceptuara si të rrezikshme kanë norma interesi më të larta, të quajtura gjithashtu yield-e. Investitorët që blejnë bono përbëhen kryesisht nga institucione financiare, duke filluar nga fondet e pensioneve deri te bankat qendrore. Disa i mbajnë obligacionet deri në skadimin e afatit të kredisë, ndërsa të tjerët ua shesin ato investitorëve të tjerë.
Çfarë po ndodh me bonot amerikane?
Historikisht, qeveria amerikane ka qenë e mbrojtur nga detyrimi për të paguar norma të larta interesi, sepse bonot e saj janë konsideruar të sigurta. Kjo për shkak se ekonomia amerikane ka qenë e fortë, me çmime të qëndrueshme dhe qeveria amerikane konsiderohej një partner i besueshëm, me pak gjasa që të mos falimentonte. Yield-et e bonove të thesarit 30-vjeçare qëndruan rreth 3% për pjesën më të madhe të dekadës pas krizës financiare të vitit 2008.
Kur interesi i tyre kaloi 5% në tetor 2023, ishte hera e parë që kishte arritur atë prag në 16 vjet. Yield-i i bonove të thesarit 30-vjeçare u ngjit në 5.04% të hënën, nga 4.9% të premten, përpara se të binte sërish nën nivelin e 5%.
Pra, cilat janë rreziqet e reja?
Normat filluan të rriteshin në vitin 2021, pasi SHBA u godit nga rritja e çmimeve pas pandemisë Covid-19. Shqetësimet u ringjallën muajin e kaluar, pas vendosjes së tarifave nga Presidenti Donald Trump në nivel global, të cilat analistët thanë se do të dëmtojnë ekonominë dhe do të rrisin çmimet.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja ka rritur borxhin e saj, me pak shenja të ngadalësimit në horizont. Të premten, Moody’s uli vlerësimin e kreditit të qeverisë amerikane, duke përmendur rritjen e borxhit dhe përparimin e vogël drejt zgjidhjes së tij. Lëvizja nuk ishte e papritur. Moody’s ishte e fundit nga tri agjencitë e vlerësimit që ndërmori hapin dhe kishte paralajmëruar në vitin 2023 se kjo mund të ndodhte.
Por situata që ai përshkroi u theksua kur një pjesë e Kongresit votoi të dielën për të avancuar një projektligj tatimor që do t’i shtonte të paktën 3 trilion dollarë borxhit amerikan gjatë dekadës së ardhshme.
“Vlerësimi i ulët i Moody’s është, efektivisht, një vlerësim politik, po aq sa është ekonomik”, shkroi analisti i Macquarie Bank, Thierry Wizman. “Përçarja politike dhe institucionale – në lidhje me mungesën e kapacitetit të SHBA-së për të ‘rregulluar’, është kuptimi i vërtetë i uljes së vlerësimit, sesa vetë ngarkesa e lartë e borxhit.”
Si ndikon kjo tek amerikanët e zakonshëm?
Sipas Moody’s, pagesat e interesit në SHBA pritet të konsumojnë 30% të të ardhurave të qeverisë federale deri në vitin 2035, krahasuar me 9% që ishin në 2021.
Nëse qeveria amerikane po shpenzon më shumë për shlyerjet e interesit të borxhit, kjo mund të ndikojë në buxhetet dhe shpenzimet publike pasi bëhet më e kushtueshme për qeverinë që të mbajë veten. Po aq e rëndësishme është se normat e interesit për qeverinë zakonisht ndikojnë në normat e interesit të ngarkuara për llojet e tjera të kredive, të tilla si kreditë hipotekore ose kartat e kreditit.
Pra, norma më të larta interesi për qeverinë do të thotë norma më të larta interesi për familjet dhe bizneset gjithashtu. Bizneset, veçanërisht ato të vogla, ka të ngjarë të goditen më rëndë nga çdo ndryshim i menjëhershëm në normat e huamarrjes, pasi shumica e pronarëve të shtëpive në SHBA kanë marrëveshje me normë fikse midis 15 dhe 30 vjetësh.
Nëse bizneset nuk mund të kenë akses në kredi, kjo mund të ndalojë rritjen ekonomike dhe të çojë në humbje të vendeve të punës me kalimin e kohës. Blerësit për herë të parë dhe ata që dëshirojnë të lëvizin në shtëpi të reja mund të përballen gjithashtu me kosto më të larta. /Përshtati nga BBC, ekofin.al
