Raporti i European Microfinance Network, i cili bazohet në anketën e zhvilluar me rreth 191 institucione mikrofinanciare (IMF) në rreth 30 vende, përfshirë Shqipërinë ka gjetur se portofoli bruto i kredisë arriti në 7 miliardë euro në fund të vitit 2023.
Sektori dominohet nga një bankë e madhe mikrofinanciare në Evropën Jugore, e cila përbën 38% të portofolit të kredisë. Përveç kësaj banke, peshën më të madhe në totalin e portofolit e menaxhojnë instirucionet e mikrofinancës në Ballkan (24%) dhe institucionet financiare jobanka (28%).
Sipas të dhëna të Anketës, 6 institucione të mikrofinancës në Shqipëri kanë dhënë afërsisht 52 milionë euro mikrokredi për bizneset dhe 7 prej tyre dhanë rreth 195 milionë euro për individë.
Sipas nënrajoneve, Evropa Jugore kishte peshën më të madhe të portofolit të kredisë (41%) për shkak të pranisë së një banke të madhe, e cila përbënte 38% të totalit të portofolit të kredisë.
Pjesa tjetër e institucioneve të mikrofinancës në Evropën Jugore përbënin 3% të totalit të portofolit të kredisë. IMF-të në nënrajonin e Ballkanit përbënin portofolin e dytë më të madh të mikrofinancës (24% të vëllimit total të kredisë), të ndjekura nga Evropa Lindore (23%). Për sa i përket vlerës së portofolit bruto të kredisë, 2.6 miliardë euro janë menaxhuar nga një bankë e madhe.
IMF-të e Ballkanit menaxhuan 1.7 miliardë euro dhe IMF-të e Evropës Lindore menaxhuan 1.6 miliardë euro. IMF-të veriperëndimore pasuan me më shumë se 0.8 miliardë euro të totalit të portofolit të mikrokredive. Duke përjashtuar bankën më të madhe, IMF-të e Evropës Jugore menaxhuan një portofol kolektiv prej më shumë se 200 milionë euro.
Pothuajse gjysma e volumit të kredisë (48%) administrohej nga bankat, nga të cilat një bankë përbënte 38% të totalit të portofolit bruto të mikrokredive. Shoqëritë e kursim-kreditit kishin peshën më të vogël në totalin e portofolit të kredisë (9%).
Në shifra absolute, institucionet financiare jobanka (IFJB) menaxhonin një portofol prej 2 miliardë eurosh, ndërsa OJQ-të kishin një portofol kredie prej 1 miliardë eurosh. Bankat (me përjashtim të bankës më të madhe) kishin një portofol prej 0.7 miliardë euro, të ndjekura nga afër nga unionet e kreditit (0.6 miliardë euro). /ekofin.al

