Interesat e kredisë së re në lek janë shfaqur relativisht të qëndrueshme dhe në nivele të ulëta në tre muajt e parë të vitit 2025.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë për ecurinë e tyre tregojnë për përcjellje të mirë të dy uljeve të normës bazë, të ndërmarra në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Ndërkohë, primet e rrezikut të kredisë qëndrojnë në nivele të ulëta historike, sikurse dëshmohet nga diferencat e vogla mes normave të interesit të kredive dhe bonos 12-mujore.
Interesi i kredisë së re për bizneset rezultoi mesatarisht 6.4% në tremujorin e parë të vitit, duke mbetur i pandryshuar nga tremujori i kaluar dhe lehtas më poshtë se mesatarja e vitit 2024, prej 6.6%.
Për individët, normat janë ulur për kreditë konsumatore në 8.2%, nga 8.5% që shënonin në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Norma e interesit për kreditë hipotekare shënoi 3.7% këtë tremujor, duke mbetur e njëjtë me atë të tremujorit paraardhës.
Ndërkohë normat e interesit për kreditë në euro kanë vijuar rënien në tremujorin e parë. Lehtësimi i shpejtë i politikës monetare nga BQE-ja është reflektuar në normat referencë të monedhës Euro në tregun ndërkombëtar, duke diktuar rënie të interesave të kredisë në Euro në vend pas muajit gusht të vitit të kaluar.
Interesi mesatar i kredisë së re në Euro për bizneset shënoi 5.7% në tremujorin e parë, nga 6.1% që ishte në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Ndërkohë, interesi mesatar i kredisë hipotekare në Euro për individët, pas rënies së shpejtë në tremujorët e mëparshëm, regjistroi një ulje minimale prej 0.1 pikë përqindjeje këtë tremujor, duke u ndalur në 4.8%. Diferenca e interesave të kredisë midis Lekut dhe Euros prej muajit gusht të vitit të kaluar ka kaluar në territor pozitiv për bizneset, ndërkohë që mbetet negative, por në zvogëlim, për financimin e blerjes së banesave tek individët.
Tremujori i parë është karakterizuar nga rënie e lehtë e interesave të depozitave në lek, ndërkohë ato në euro mbeten të pandryshuara, duke u luhatur në nivele minimale.
Interesi mesatar i depozitave në lek rezultoi 1.9%, nga 2.0% dhe 2.2% që ishte përkatësisht në dy tremujorët e fundit. Rënia e interesave të depozitave në këtë tremujor ka qenë si në maturitetet deri në një vit, ashtu dhe tek ato mbi një vit. Interesi mesatar për depozitat në euro rezultoi në 1.2% këtë tremujor, duke qenë afërsisht i njëjtë me tremujorin paraardhës. Diferenca mes interesave të depozitave në lek dhe atyre në euro mbetet pozitive dhe e qëndrueshme.
Gjatë tremujorit të parë, bankat mbajtën të pandryshuara standardet dhe kushtet e kreditimit për shumicën e kredive, përfshirë ato për biznese dhe individë, ndërsa lehtësuan disi kreditimin për bizneset e vogla dhe të mesme për shkak të konkurrencës dhe kostove më të ulëta. Ndërkohë, kërkesa për kredi mbeti e lartë, por u shënua një rritje e shkallës së refuzimeve, kryesisht për shkak të vlerësimeve më të rrepta të aftësisë paguese të kredimarrësve. /ekofin.al
