Mundësia për të ruajtur numrin e telefonit gjatë ndërrimit të operatorit, e njohur si portabiliteti i numrit, ka qenë një nga zhvillimet më të rëndësishme në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri që nga fillimi i zbatimit të saj në vitin 2011 për rrjetet celulare dhe 2012 për ato fikse. Kjo lehtësi u ka mundësuar qytetarëve që të zgjedhin lirisht ofruesin më të përshtatshëm për nevojat e tyre, duke rritur konkurrencën në treg dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve.
Megjithatë, të dhënat nga raporti i AKEP për vitin 2024 tregojnë një rënie të ndjeshme të interesit për portim të numrit gjatë vitit 2024. Vetëm 19,452 numra celularë dhe 173 numra fiks u portuan, duke shënuar nivelin më të ulët vjetor që prej fillimit të zbatimit të këtij procesi. Kjo përfaqëson një reduktim prej 50% në krahasim me vitin 2023.
Në total, nga viti 2011 deri në fund të vitit 2024, janë portuar rreth 1.3 milionë numra celularë dhe 20 mijë numra fiks. Pas një kulmi në vitin 2017 me mbi 250 mijë portime, tendenca ka qenë kryesisht rënëse, përveç një rritjeje të përkohshme gjatë periudhës 2020-2021.
Një pjesë e mirë e përdoruesve kanë hasur vështirësi në procesin e portimit për shkak të refuzimeve nga operatori dhënës si pasojë e mospërputhjes së ID-ve të përdoruesve me parapagim; detyrimeve të papaguara kontraktore nga pajtimtarët etj;
Edhe pse numri i ankesave për portimin e numrit ka rënë në vitin 2024, përqindja e kërkesave të refuzuara nga operatorët celularë vijon të mbetet mbi 50%.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), si organi rregullator, ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar këtë situatë. Gjatë vitit 2024, AKEP ka hartuar ndryshime në Rregulloren nr. 43/2016 për portabilitetin e numrit që synojnë të vendosin detyrime të qarta për operatorin dhënës, në lidhje me komunikimin dhe arsyetimin e refuzimit të kërkesave për portim. Portabiliteti i numrit mbetet një element kyç në garantimin e konkurrencës dhe të drejtave të përdoruesve në Shqipëri./ekofin.al
