Roaming ka pësuar një rritje të ndjeshme në Ballkanin Perëndimor e Shqipëri.
Pas marrëveshjes historike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për heqjen e tarifave Roaming mes këtyre vendeve, e cila e filloi aplikimin me datën 1.7.2021, me datën 6 dhjetor 2022 u arrit marrëveshja për reduktimin e tarifave Roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e tjera të Bashkimit Evropian (Zona Ekonomike Evropiane EEA).
Deklarata e përbashkët e nënshkruar për këtë qëllim përcakton se duke filluar nga data 1.10.2023, një sërë operatorësh palë nënshkruese të deklaratës do të angazhohen në uljen graduale të tarifave roaming për të dhënat (internet) midis vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke filluar me reduktimin në 2.4 lekë/MB apo 22 euro/GB, deri në zerim të tyre.

Sipas të dhënave, numri i pajtimtarëve që kanë përdorur shërbimet roaming gjatë qëndrimit të tyre në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur rreth 860 mijë pajtimtarë në vitin 2024, me një rritje rreth 5% nga viti pararendës.
Në të njëjtën linjë me trendin rritës të numrit të përdoruesve të shërbimeve roaming gjatë qëndrimit të tyre në vendet e rajonit, ka vijuar edhe rritja e njësive të internetit të përdorur nga këta pajtimtarë në roaming, por kjo rritje ka qenë ndjeshëm më e lartë në vitin 2024 duke rezultuar në konsum të internetit me rreth 38% më shumë se viti 2023. /ekofin.al

