Shqipëria është mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që pritet të mbledhë nesër në Tiranë liderët e vendeve evropiane. Një ditë para Samitit të Komunitetit Politik Europian në 15 maj, liderët e Këshillit Europian dhe të Bashkimit Europian do të mblidhen në një darkë pune në Tiranë me udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Europës i cili ka publikuar edhe agjendën e Samitit, bëhet me dije se 47 kryetarë shtetesh dhe qeverish, si dhe institucione të BE-së janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Sekretarët e Përgjithshëm të NATO-s, Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) gjithashtu kanë marrë ftesë për të marrë pjesë.
Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do të zhvillohet të premten, më 16 maj, në Sheshin Skënderbej në Tiranë.
Kjo ngjarje e rëndësishme bashkëorganizohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe Kryeministri Edi Rama duke bërë bashkë liderë nga e gjithë Evropa.
Tema e takimit është “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Përveç Presidentit Costa, BE do të përfaqësohet nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Përfaqësuesja e Lartë për Çështjet e Jashtme, Kaja Kallas. Samiti do të përfshijë sesione plenare të hapjes dhe mbylljes, me tryeza tematike paralele dhe takime bilaterale ndërmjet tyre.
Autoritetet në Tiranë kanë gati tashmë vendin e pritjes së delegacioneve nga e gjithë Evropa dhe rajoni: “Shtëpia e Europës” është ngritur nën hijen e monumentit të Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve në sheshin me të njëjtin emër në kryeqytet.
Në këtë strukturë do të bëhet pritja e liderëve evropianë ndërkohë që pjesë e “Shtëpisë së Europës” janë edhe pikturat dhe vizatimet e nxënësve të shkollave nëpër Shqipëri që përfaqësojnë vizionin e tyre për Evropën.
Në këtë samit do të bëhen bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Roli i Shqipërisë si mikpritëse pasqyron thellimin e vokacionit europian të vendit dhe kontributin e saj për stabilitetin rajonal dhe kontinental. Si një anëtare e NATO-s, vend kandidat për në BE dhe zë aktiv në bashkëpunimin rajonal, Shqipëria është e pozicionuar në mënyrë unike për të organizuar një dialog të rëndësishëm në një moment kur Evropa duhet të flasë dhe të veprojë me më shumë kohezion.
Mbajtja për herë të parë e këtij Samiti në Ballkanin Perëndimor shënon jo vetëm një njohje simbolike të vendit të Evropës Juglindore brenda strukturës politike evropiane, por edhe një investim strategjik në rolin e saj për të formësuar të ardhmen e kontinentit.
Duke u mbështetur mbi dinamizmin e samiteve të mëparshme në Pragë, Moldavi, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Hungari, Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë do të shërbejë si një platformë për dialog politik të hapur politik dhe bashkëpunim konkret. Agjenda do të reflektojë çështjet më urgjente për qytetarët evropianë sot, duke ofruar gjithashtu hapësirë për të parë përpara me qartësi dhe ambicie.
Në fokus të këtij samiti do të jenë katër tema të rëndësishme që do të zhvillohen në tryeza të nivelit të lartë: Siguria dhe qëndrueshmëria demokratike; fuqizimi i konkurrencës dhe sigurisë ekonomike; migrimi, lëvizshmëria dhe fuqizimi i rinisë; vizioni, lidershipi, mënyrat e reja të veprimit për Europën në një botë të re.
