Në tremujorin e parë të vitit 2025, lindjet shënuan rënie me 14,1%, ndërsa vdekjet me 5,8%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.Ndërkohë që të dhënat e tremujorit të parë të 2025 janë paraprake dhe objekt rishikimi, shtesa natyrore për këtë periudhë ishte negative: -883 persona.
Sipas shifrave, Tirana renditet me më shumë lindje, 1.750 të tilla dhe sërish me më pak lindje renditet Gjirokastra me 76. Ndërkohë që të gjitha qarqet regjistruan rënie, krahasuar me T1/2024, rënia më e vogël u shënua në Berat (−4,0%), ndërsa më e madhja në Kukës (−22,9%).
Në vitin 2024, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive me +1.208 lindje më shumë se vdekje, por në rënie krahasuar me vitin 2023.
Të dhënat zyrtare të Instat për demografinë e vendit tregojnë se gjatë vitit 2024 lindën 23.310 foshnje dhe u regjistruan 22.102 vdekje. Për vitin 2024, qarku me më shumë lindje është Tirana me 9.006, ndërsa më pak Gjirokastra me 336. Krahasuar me 2023 rezulton rritje në 4 qarqe dhe rënie në 8 prej tyre. Rritja më e madhe shënohet në Dibër (+2,9%), ndërsa rënia më e madhe në Gjirokastër (−14,5%).
Ndërkohë, të dhënat paraprake për vdekjet në Tremujori I/2025 rendisin Tiranën si qarkun me më shumë vdekje, me 1.423) dhe qarkun me më pak vdekje Kukësin me 123. Krahasuar me T1/2024 rezulton rritje në 2 qarqe dhe rënie në 10 qarqe, ku rritja më e madhe rezulton në Shkodër (+4,3%), ndërsa rënia më e madhe në Dibër (−20,4%).
Sa u përket vdekjeve për vitin 2024, numrin më të madh e ka Tirana me 5.609, ndërsa më pak Kukësi me 533.
Krahasuar me 2023 rezulton rritje në 10 qarqe dhe rënie në 2 qarqe. Rritja më e madhe regjistrohet në Fier (+11,6%) ndërsa rënia më e madhe në Korçë (−1,8%).

