Fitimi i konsoliduar pas tatimit i Grupit OTP në tremujorin e parë ishte 466 milionë euro, i ndikuar nga disa zëra të veçantë, si taksat e veçanta bankare dhe shpenzimet rregullatore, të cilat së bashku arritën në 333 milionë euro. Nëse do të ishin shpërndarë këta zëra në mënyrë të njëjtrajtshme gjatë gjithë vitit, fitimi pas tatimit për tremujorin e parë do të ishte 737 milionë euro.
˝Zhvillimet në tremujorin e parë ishin në përputhje me pritshmëritë dhe për rrjedhojë, drejtuesit e Grupit OTP vazhdojnë të presin një përmirësim të lehtë të mjedisit operativ˝ – deklaroi z. László Bencsik, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i OTP Bank, gjatë një konference për shtyp ku u prezantuan rezultatet e tremujorit të parë të bankës.
Rezultatet në Hungari u ndikuan nga fakti që shuma vjetore e taksave të veçanta bankare u regjistrua e gjitha në tremujorin e parë. Gjatë tre muajve të parë të vitit, filialet e huaja të Grupit performuan mirë, të gjitha me fitim pozitiv pas tatimit. Në nivel grupi, portofoli i kredive në shlyerje (i konsoliduar dhe i rregulluar sipas kursit të këmbimit valutor), u rrit me 3% në baza tremujore.
Duke iu referuar zhvillimeve në Hungari, z. László Bencsik theksoi trendin pozitiv në kreditë hipotekore të familjeve dhe në kreditë personale gjatë tremujorit në shqyrtim. OTP Bank gjithashtu rriti pjesën e saj të tregut në segmentin e kredive, për bizneset në Hungari.
Grupi OTP ruajti një pozicion të qëndrueshëm të likuiditetit, duke tejkaluar si pritshmëritë rregullatore, ashtu edhe treguesit financiarë krahasimisht me institucionet homologe.
Rreth Grupit OTP
Grupi OTP është një nga grupet bankare me rritjen më të shpejtë dhe ndër më të rëndësishmet në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, me përfitueshmëri të lartë dhe pozicion të qëndrueshëm në kapital dhe likuiditet. Me rreth 40,000 punonjës në 11 shtete të rajonit të Evropës Qendrore dhe Azisë Qendrore, Grupi ofron shërbime financiare universale për 17 milionë klientë. Si konsoliduesi më aktiv në sektorin bankar të rajonit, Grupi ka realizuar dhe integruar me sukses 25 blerje bankash që nga fillimi i viteve 2000. Grupi OTP ka selinë në Hungari dhe një strukturë pronësie të diversifikuar dhe transparente. Grupi bankar është i listuar në Bursën e Budapestit, që nga viti 1995.
