Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2025 arriti në 119,8 pikë, krahasuar me muajin Dhjetor 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit për këtë muaj është 2,3%, në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ky ndryshim ishte 2,1%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në Prill 2025, krahasuar me Mars 2025, rezulton të jetë 0,1%.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me një kontribut prej +1,29 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,24 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë ndikuar me +0,22 pikë përqindje, ndërsa grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje. Rritje janë shënuar edhe në grupin “Argëtim dhe kulturë” me +0,14 pikë përqindje, si dhe në grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me nga 0,10 pikë përqindje secili. Më tej, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë ndikuar me +0,07 pikë përqindje, “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje, “Shërbimi arsimor” me +0,03 pikë përqindje dhe “Shëndeti” me +0,02 pikë përqindje. I vetmi grup me ndikim negativ ishte “Transporti”, me një ndikim prej -0,16 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin Prill 2024, rritja më e madhe e çmimeve është vërejtur në grupin “Argëtim dhe kulturë”, me një rritje prej 6,3%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,9%. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” janë rritur me 3,8%, ndërsa grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ka shënuar një rritje prej 3,2%. Grupi “Veshje dhe këpucë” është rritur me 2,7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,7%, “Komunikimi” me 1,5%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1%, “Shërbimi arsimor” me 0,9% dhe “Shëndeti” me 0,5%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” kanë shënuar ulje me 2,6%.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet”, kanë pasur një rritje prej 7,7%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 6,4%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 5,2%, “mish” me 3,5% dhe “bukë dhe drithra” me 1,4%.
Sa i përket ndryshimeve mujore, krahasuar me muajin Mars 2025, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënuan një rritje prej 0,2%, ndërsa grupet “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me nga 0,1% secili. Ndërkohë, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” shënuan një ulje me 0,1% secili./ekofin.al
