Të dhënat e fundit të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve për trendët e fluturimeve në Evropë në 3-mujorin e parë konfirmojnë analizën e realizuar pak ditë më parë nga ekofin.al, ku Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u vlerësua të kishte një rritje mbi mesataren dhe normalen e tendencave evropiane dhe botërore.
Referuar shifrave më të fundit të publikuara nga “ACI”, në 3-mujorin e parë të këtij viti, numri i pasagjerëve përgjatë rrjetit evropian të aeroporteve u rrit me 4.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në janar-mars 2025, aeroporti i Rinasit tejkaloi 2 milionë pasagjerë, duke vijuar rritjen e qëndrueshme me 9.1%.
Në këtë mënyrë, rritja e numrit të pasagjerëve në aeroportin e Rinasit është mbi dyfish më e lartë se mesatarja evropiane për periudhën. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka fituar tashmë që vitin e kaluar pozicionin e liderit në Ballkan, duke lënë ndjeshëm mbrapa aeroportet e tjera rajonale, përfshirë atë të Serbisë.
Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve e vlerësoi TIA vitin e kaluar si aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë. Ndërsa aktualisht, referuar të dhënave të fundit, ACI shkruan se Shqipëria është në rradhën e vendeve me rritjen më të fortë sa i përket aeroporteve jashtë tregut të BE-së.
“Aeroportet jashtë tregut të BE-së kanë tejkaluar mesataren evropiane në tremujorin e parë 2025, me trafikun e pasagjerëve të tyre në rritje mesatare 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo u nxit nga rimëkëmbja e aeroporteve në Izrael me 60.4%, si dhe nga rezultatet mbresëlënëse në tregjet me rritje të shpejtë të Moldavisë me 56%, Bosnje- Hercegovinës me 41.7%, Kosovës me 15.6%, Uzbekistanit me 15.5%, Shqipërisë me 9.1% dhe Gjeorgjisë me 8.5%”, thuhet në raportin e fundit të ACI.
Kastrati Group që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës që nga viti 2020 deri në fund të vitit 2024 ka investuar rreth 100 milionë euro për të modernizuar më tej shërbimet, përmirësuar infrastrukturën, zgjerimin e terminaleve dhe së fundmi edhe të pistës së aeroportit. Janë në fazën finale punimin për ndërtimin e një parkingu nëntokësor, me një kapacitet prej 1000 mjetesh, ndërkohë që gjithashtu aeroporti do të ketë një fasadë të re super moderne, për një prezantim edhe më dinjitoz të vendit përballë turistëve të huaj. /ekofin.al

