Rritja e pagave, sidomos në sektorin publik, por edhe në atë privat, ka sjellë edhe gjithashtu një rritje të lehtë të barrës tatimore për të punësuarit në Shqipëri. Tatimi mbi pagën e punonjësve në Shqipëri fillon nga 0% për pagat deri 50 mijë lekë në muaj dhe më tej aplikohet progresiviteti në shkallën nga 13 deri në 23%. Por si është taksimi i pagave në vendet e rajonit? Ka vende që aplikojnë normë të sheshtë dhe të tjera që si Shqipëria kanë taksimin progresiv.
Referuar të dhënave të qendrës Altax, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia aplikojnë normë tatimore të sheshtë dhe tatimi mbi pagat në këto tre shtete është një normë fikse prej 10%.
Në Serbi kjo normë është pas zbritjes së kufirit të pagave të patatueshme prej 25.000 denarë serb. Baza e tatueshme është paga bruto, duke përfshirë përfitimet shtesë, të tilla si strehimi i ofruar nga kompania dhe përdorimi i makinës së kompanisë.
Ndërkohë, në Kosovë dhe Mal të Zi, aplikohet normë tatimore progresive. Tatimi mbi pagat e punonjësve në Kosovë është 0% për paga deri në 960 euro në vit, 4% për pagat nga 960 deri në 3000 euro/vit, 8% për pagat nga 3000 euro deri në 5400 euro në vit si dhe 10% për pagat mbi 5400 euro/vit.
Gjithashtu dhe Mali i Zi aplikon tatim progresiv dhe tatimi është 0% për pagat deri 700 Euro në muaj, 9% për pagat 701 – 1.000 Euro në muaj dhe 15% për pagat 1.001 Euro në muaj e lart.
