Qeveria vendos disa ndryshime për licencimin e individëve dhe shoqërive që operojnë në vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Vendimi, i cila ka hyrë tashmë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, lehtëson kriteret që përfshijnë licencimin e individëve dhe shoqërive të vlerësimit.
Më konkretisht, përcaktohet se hiqet kriteri “Master” i cili zëvendësohet me “ciklin e dytë të studimeve”. Ky ndryshim u hap rrugë edhe individëve që kanë mbaruar studimet e larta 4-vjeçare, licencimi i të cilëve kufizohej nga përcaktimi i kualifikimit “master”.
Gjithashtu vendoset si prag minimal licencimi për shoqëritë e vlerësimit si afat më i shkurtër periudha 1-vjeçare. Kjo në bazë të afatit të kontratës që ka shoqëria me vlerësuesin e kontraktuar (ajo me afatin më të shkurtër, për rastet kur ka më shumë se një vlerësues me kontratë), por jo më pak se 1 vit dhe jo më shumë se 5 vjet.
Tashmë, individi apo vlerësuesi i shoqërisë, që kërkon të pajiset me licencë si vlerësues i ndërtesave dhe tokës truall, duhet të jetë diplomuar në ciklin e dytë të studimeve universitare në degët e inxhinierisë, arkitekturës ose ekonomisë;
E njëjta gjë vlen edhe për individin apo vlerësuesin e shoqërisë që kërkon të pajiset me licencë si vlerësues i linjave teknologjike, makinerive e pajisjeve, duhet të jetë diplomuar në ciklin e dytë të studimeve universitare (ose ekuivalentë të këtij cikli) në degët e inxhinierisë me profil mekanike, ndërtimi, elektrike, arkitekturë, gjeologji-miniera, teknologji informacioni.
Ndryshimet e reja ligjore lehtësojnë gjithashtu kalimin e shkallës së vlerësimit, nga e dytë në të parë, të licencës së vlerësimit, duke hequr disa kritere, si kërkesa ku paraqitej aktiviteti i ushtruar gjatë periudhës së vlefshmërisë së licencës, mjeteve të identifikimit, fotografive, vërtetimet e shlyerjes së detyrimeve tatimore, vetëdeklarimeve në fushën profesionale dhe gjyqësore, si për individët ashtu edhe për shoqëritë e vlerësimit.
Gjithashtu, shfuqizohet parashikimi ligjor se për rastet kur aplikohet njëkohësisht edhe për pajisjen me licencë të shkallës së parë të vlerësuesit të shoqërisë, vlerësuesi/t aplikojnë më vete për pajisje me licencë individuale dhe ky fakt saktësohet në aplikimin e shoqërisë (në kërkesën respektive të saj).
Tashmë, si për aplikimet për rinovim edhe dublikim nëpunësi gjeneron vërtetimin nga organet tatimore për shlyerjen nga individi të të gjitha detyrimeve tatimore në momentin e aplikimit. Dublikati lëshohet vetëm për licenca të miratuara para datës 1 maj 2022.
Ndërsa sa i përket çregjistrimit, me aplikimin për mbylljen e aktivitetit, licenca bëhet e pavlefshme dhe çregjistrohet nga regjistri i subjekteve të licencuara për fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Risi do të jetë sistemi informatik i integruar, ku institucioni përgjegjës për gjenerimin dhe përditësimin e të dhënave në sistemin informatik të integruar, sipas këtij vendimi, është ministria përgjegjëse për ndërtimin (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë).
Në këtë sistem do të grumbullohen të gjitha të dhënat parësore për shoqëritë, licencat dhe të dhënat e tjera. Sistemi do të ndërveprojë me të gjitha databazat e tjera si Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; regjistri tregtar i Qendrës Kombëtare të Biznesit; portali unik qeveritar “e-Albania”; Regjistri Kombëtar i Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve; tatimi elektronik, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve etj. /ekofin.al
