Afro 2.5 miliardë lekë dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit vetëm për tregun e Jo-Jetës në 4 muajt e vitit, shifra më e lartë ndonjëherë e paguar prej tyre për periudhën janar-prill.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shifra rezulton 28.4% më e lartë. Gjithashtu, rritje të konsiderueshme ka patur edhe sa i përket praktikave të dëmeve të paguara. Për periudhën janar-prill 2024, shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës kanë procesuar dhe paguar plot 22534 praktika dëmesh, përkundrejt afro 18 mijë praktikave të paguara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nëse kjo tendencë do të vijojë edhe për pjesën e mbetur, marrë në konsideratë edhe faktin se përpara janë muajt e verës, të cilët nga natyra vlerësohen me risk më të lartë për aksidenteve e për pasojë dëme të shkaktuara, atëherë 2024 mund të rezultojë vit rekord sa i përket dëmeve të paguara nga tregu i sigurimeve të Jo-Jetës.
Rritje e konsiderueshme e dëmeve të paguara është regjistruar edhe në tregun e Jetës, një treg historikisht më i vogël sesa ai i Jo-Jetës, ku për janar-prill 2024 janë paguar mbi 109 milionë lekë dëme, përkundrejt mbi 80 milionëve të paguara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kështu, në total, dëmet e paguara në tregun e sigurimeve arrijnë në afro 2.8 miliardë lekë, ose 28 milionë euro, me një rritje prej 32.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të bëra publike nga AMF, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shoqëria që ka paguar shifrën më të lartë të dëmeve është Sigal Uniqa, ndjekur nga Albsig, ndërsa më pas vijnë Intersig, Sigma dhe Eurosig me diferenca shumë të vogla mes tyre. Ekofin.al

