Gjykatat administrative të shkallës së parë vijojnë të përballen me një numër të lartë dosjesh të prapambetura, të trashëguara nga vitet e kaluara. Pavarësisht përpjekjeve për rritjen e efikasitetit dhe shqyrtimit të çështjeve brenda afateve ligjore, ngarkesa e lartë e punës dhe numri i kufizuar i gjyqtarëve ka ndikuar në ritmin e shqyrtimit të rasteve.
Sipas statistikave nga raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor, numri i çështjeve në pritje të gjykimit në fillim të vitit 2024 ishte 8,788 çështje, duke reflektuar një rritje prej 19.5% krahasuar me vitin paraardhës 2023.
Peshën kryesore të dosjeve e ka Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, e cila mban 80% të totalit të stokut.
Gjatë vitit 2024, gjykatat administrative të shkallës së parë kanë regjistruar gjithsej 14,370 çështje të reja, duke shënuar një rënie prej 6.9% krahasuar me vitin paraardhës, kur numri i çështjeve të reja ishte 1,065 çështje më i lartë. Gjykata Administrative Shkallës së Parë Tiranë vazhdon të mbetet gjykata me ngarkesën më të madhe, duke përbërë 82.2% të totalit të çështjeve të reja të regjistruara në këtë nivel gjykatash administrative.
Sa i përket natyrës së çështjeve të reja të paraqitura, 50.3% (7,230 çështje) janë çështje administrative të përgjithshme, ndërsa 48.4% (6,958 çështje) përbëhen nga çështje administrative pa palë kundërshtare. Në këtë grup, vetëm 1.3% (182 çështje) lidhen me mosmarrëveshjet në marrëdhëniet e punës, një kategori që vijon të mbetet në nivele të ulëta.
Në vitin 2024, ngarkesa totale e punës në gjykatat administrative të shkallës së parë ka arritur në 23,158 çështje, duke përfshirë si çështjet e mbartura nga vitet e kaluara (backlog-un), ashtu edhe çështjet e reja të regjistruara gjatë vitit.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranës, si gjykata më e ngarkuar në këtë nivel, përbën 81.2% të totalit të ngarkesës, me 18,823 çështje në shqyrtim. Krahasuar me vitin 2023, ngarkesa totale ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel, me një rritje minimale prej vetëm 1.6%. Kjo tregon se, edhe pse numri i çështjeve të reja ka rënë lehtë, ngarkesa e punës mbetet e lartë për shkak të nivelit ende të lartë të backlog-ut.
Në vitin 2024, ngarkesa mesatare e punës për gjyqtar (Treguesi WR) në gjykatat administrative të shkallës së parë është 1,074 çështje për gjyqtar, duke shënuar një rritje prej 23% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e reduktimit të numrit mesatar të gjyqtarëve efektivë, nga 23.5 gjyqtarë në vitin 2023 në 19.2 gjyqtarë në vitin 2024.
Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, norma e likuidimit është rritur me 13% krahasuar me vitin paraardhës, pavarësisht një reduktimi prej 26% në numrin mesatar të gjyqtarëve efektivë.
Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë, norma e likuidimit është përmirësuar me 14.8% krahasuar me një vit më parë, e ndikuar edhe nga një rritje prej 5% në numrin mesatar të gjyqtarëve efektivë.
Evadimi i çështjeve gjyqësore në gjykatat administrative (treguesi DT)
Treguesi DT në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, është në vlerën e 199 ditëve, duke ulur kohën e nevojshme për evadimin e çështjeve me 18 ditë, e thënë ndryshe ka përmirësuar nivelin e treguesit DT me 8.4% krahasuar me vitin 2023.
Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë, është në vlerën e 247 ditëve, duke ulur kohën për evadimin e çështjeve me 45 ditë, e thënë ndryshe ka përmirësuar nivelin e treguesit DT me 15.5% krahasuar me vitin 2023.
Analiza e vjetërsisë së çështjeve të prapambetura tregon një përqendrim të lartë të backlog-ut me çështje të regjistruara brenda një viti, duke sugjeruar një fokus të gjykatave në shqyrtimin e rasteve më të reja.
Rezulton se 61% e backlog-ut (5,099 çështje) përbëhet nga çështje të regjistruara deri në një vit më parë, nga të cilat 2,370 çështje janë më pak se 6 muaj të vjetra, ndërsa pjesa tjetër ka një vjetërsi midis 6 dhe 12 muajsh.
21.2% e backlog-ut (1,779 çështje) janë raste të regjistruara 1-2 vite më parë, ndërsa 682 çështje janë në pritje prej 2-3 vitesh, dhe 495 çështje të tjera janë në pritje për më shumë se 3 vjet.
Çështjet më të vjetra se 5 vjet përbëjnë vetëm 4.1% të backlog-ut (341 çështje), duke treguar se gjykatat kanë bërë përpjekje për të ulur numrin e çështjeve më të vjetra në sistem./ekofin.al
