Të dhënat shëndetësore të pacientëve nuk do të transmetohen më përmes rrjeteve sociale (Whatsapp), pasi kjo përbën shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Udhëzimi i ri i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të zbatohet për të gjithë personat fizikë dhe juridikë të cilët veprojnë në sistemin e kujdesit shëndetësor, publikë ose privatë etj. Udhëzimi do të zbatohet, gjithashtu, edhe për shkëmbimin dhe komunikimin e të dhënave që lidhen me shëndetin me anë të pajisjeve digjitale, për aq sa nuk rregullohet nga legjislacioni i posaçëm.
Të dhënat që lidhen me shëndetin mund të përpunohen vetëm kur parashikohet shprehimisht nga legjislacioni i posaçëm i kontrolluesit apo përpunuesit dhe kur përpunimi është i nevojshëm, për qëllimet mjekësore parandaluese, qëllimet e diagnostikimit etj.
Në rastet kur përpunimi kryhet për qëllime arkivimi në interes të publikut ose për qëllimet e kërkimit shkencor historik, apo statistikor, masat në fjalë duhet të jenë proporcionale me qëllimin e ndjekur, duke përfshirë detyrimin e ruajtjes së sekretit profesional dhe bëhen publike me pëlqimin e vetë subjektit të të dhënave.
Në rastet e pacientëve të mitur, të cilët nuk janë në gjendje për të dhënë pëlqimin, pëlqimi jepet nga përfaqësuesit ligjorë (prindi apo kujdestari ligjor i të miturit).
Përpunimi i të dhënave gjenetike
Udhëzimi përcakton, gjithashtu, se të dhënat gjenetike janë të dhëna sensitive dhe përpunohen vetëm në rastet e parashikuara strikt në ligj. Këto të dhëna mblidhen vetëm kur ekzistojnë masat e përshtatshme të mbrojtjes, kur është parashikuar me ligj dhe/ose në bazë të pëlqimit të shprehur nga subjekti i të dhënave. Ato përpunohen me qëllim parandalues, diagnostikues, trajtimin e subjektit të të dhënave apo të një anëtari të familjes biologjike të tij, ose për kërkime shkencore.
Gjithashtu, të dhënat gjenetike të mbledhura gjatë një procesi gjyqësor duhet të përpunohen vetëm kur nuk ka mjete alternative për administrimin e provave, të nevojshme për të parandaluar një rrezik real dhe të menjëhershëm, apo për procedimin e një vepre penale të caktuar, sipas garancive procedurale të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
Rregullat për përpunimin e të dhënave zbatohen edhe për dosjet mjekësore elektronike dhe komunikimin me adresat elektronike që mundësojnë përhapjen dhe shkëmbimin e të dhënave që lidhen me shëndetin. Në çdo rast duhet zgjedhur rruga më e përshtatshme dhe e sigurt, si dhe të mos përdoren adresa personale apo aplikacione (si WhatsApp) për këtë përhapje.
Përpunimi i të dhënave shëndetësore për kërkimin shkencor
Nevoja e përpunimit të të dhënave shëndetësore për kërkimin shkencor duhet të vlerësohet në pikëpamjen e qëllimeve kërkimore, rreziqeve ndaj subjektit të të dhënave, si dhe për sa i përket përpunimit të të dhënave gjenetike, në kuadër të rrezikut për familjen biologjike.
Të dhënat shëndetësore, në parim, duhet të përpunohen vetëm në një projekt kërkimi shkencor, nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin në përputhje me këtë udhëzim, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe me ligj. Të dhënat duhet të anonimizohen kur qëllimet e kërkimit shkencor e lejojnë. Kur qëllimet e kërkimit nuk e lejojnë këtë, duhet të zbatohet pseudonimizimi i të dhënave në fazën e ndarjes së identifikimit, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të subjektit të të dhënave.
Kur subjekti i të dhënave tërhiqet nga një projekt i kërkimit shkencor, të dhënat që lidhen me shëndetin, të përpunuara në kuadër të atij kërkimi, duhet të shkatërrohen ose anonimizohen në një mënyrë që nuk kompromenton vlefshmërinë shkencore të kërkimit, duke informuar subjektin e të dhënave.
Çdo përdorim i pajisjeve elektronike të lëvizshme që mbledh dhe përpunon të dhëna duhet të shoqërohet nga masa të përshtatshme sigurie që garantojnë verifikimin e personit përkatës dhe enkriptimin gjatë transmetimit të të dhënave, përfundon udhëzimi./ekofin.al
