Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vijon të jetë e mbytur në çështje të prapambetura.
Në fillim të vitit 2024, dosjet e mbartuara në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka rezultuar në 37,662 raste në pritje të gjykimit. Në fund të vitit 2024, backlog-u ka arritur në 41,700 çështje, me një rritje prej 10.7% ose 4,038 çështje më shumë se një vit më parë. Dominimi i çështjeve civile vihet re në 67.4% të dodjeve, ndërsa 32.6% janë çështje penale, duke treguar sfidën më të madhe në trajtimin e çështjeve civile.
Sipas raportit, gjatë vitit 2024 në këtë gjykatë janë regjistruar gjithsej 13,888 çështje të reja. Kjo përbën një rënie prej 4.3% krahasuar me vitin e kaluar, kur numri i çështjeve të reja të regjistruara ishte më i lartë me 619 çështje më shumë.
Shpërndarja e çështjeve të reja sipas kategorive tregon se 57% e çështjeve të reja (7,928 çështje) janë çështje penale, duke treguar se çështjet e natyrës penale përbëjnë pjesën më të madhe të volumit të punës në gjykatë, ndërsa 43% e çështjeve të reja (5,960 çështje) janë çështje civile, një përqindje më e ulët krahasuar me çështjet penale, por ende përbën një ngarkesë të konsiderueshme për gjykatën.
Ngarkesa totale e gjykatës
Ngarkesa e përgjithshme e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për vitin 2024 rezulton në 51,550 çështje. Analiza krahasuese me një vit më parë nxjerr në pah diferencën me 5,673 çështje më shumë, e shprehur në përqindje rezulton një rritje me 12%. Ngarkesa e përgjithshme e çështjeve të juridiksionit civil për vitin referues rezulton në 31,940, me rritje prej 2,562 çështjesh nga viti 2023. Sa i takon juridiksionit penal, 19,610 çështje përbëjnë ngarkesën totale të gjykatës, me diferencë në rritje nga viti 2023 me 3,111 çështje.
Sa i përket ngarkesës mesatare për gjyqtar, është rritur me vetëm 2.2%, duke arritur në 1,945.3 çështje për gjyqtar nga 1,903.6 çështje në vitin 2023.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka shënuar rritje të rendimentit mesatar (ER) për gjyqtar prej 9% e krahasuar me vitin 2023. Konkretisht në vitin 2024, treguesi ER paraqitet në vlerën 371.7 çështje për gjyqtar, ndërsa në vitin 2023 ky tregues ishte në vlerën 340.9, duke reflektuar rritjen e nivelit të efiçencës në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore nga secili gjyqtar.
Organika e gjykatës funksionon me vetëm 1/3 e numrit të gjyqtarëve të miratuar me vendimin nr. 553, datë 29.12.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Analiza e treguesit të evadimit të çështjeve gjyqësore (treguesi DT)
Sipas raporit, treguesi paraqet përmirësim për të dy kategoritë e çështjeve duke treguar prirje pozitive në uljen e kohës së gjykimit të çështjeve në apel. Konkretisht për çështjet civile, koha mesatare për zgjidhjen e tyre ka rënë nga 2790.7 ditë në vitin 2023, në 2683 ditë në vitin 2024, një përmirësim prej 4%.
Për çështjet penale, përmirësimi ka qenë më i theksuar, me një rënie nga 885 ditë në 823 ditë në vitin 2024, një përmirësim prej 7%. Mesatarisht, për të gjitha çështjet e gjykatës, treguesi DT ka rënë nga 1673.4 ditë në vitin 2023 në 1545.2 ditë në vitin 2024.
Pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm, koha mesatare për shqyrtimin e çështjeve civile mbetet shumë e lartë (2683 ditë, ose rreth 7.3 vjet), duke treguar se gjykata ende përballet me sfida të mëdha në këtë kategori.
Koha për shqyrtimin e çështjeve penale është ulur, duke treguar se proceset për këtë kategori janë të përmirësuara dhe më efikase. Nëse kjo prirje vazhdon, do të duhet më shumë kohë për të arritur një përmirësim të ndjeshëm në çështjet civile, e cila mbetet kategoria më problematike për sa i përket kohëzgjatjes së shqyrtimit./ekofin.al
