Hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore të përcaktuara përmes Udhëzimit “Për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për masat mbështetëse për vitin 2025.”
Bëhet fjalë për një udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndryshimet konstatojnë në dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar mbështetje financiare për naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Me ndryshimin e ri, çdo subjekt përfitues duhet të provojë aktivitetin bujqësor për të cilin aplikon, duke paraqitur faturë blerje për një nga imputet si material mbjellës (farëra ose fidanë)/ plehra kimike/ pesticide; ose faturën për shitjen e prodhimit.
Faturat mund të ngarkohen në sistem në momentin e aplikimit ose mund të dorëzohen fizikisht në ambientet e përcaktuara nga ky udhëzim (AREB, Agropika) ose në zyrat qendrore të AZHBR-së fizikisht apo me postë, deri para pagesës apo para kontrollit (për subjektet që mund të kontrollohen para pagesës).
Aplikimi për mbështetje për naftën për bujqësinë”, ndryshohet duke përcaktuar se dokumentacioni që duhet të ngarkohet në sistem është në varësi të statusit të pronësisë apo përdorimit të tokës bujqësore për të cilën aplikohet dhe statusit të regjistrimit të saj në ASHK, pra ose me certifikatë pronësie ose me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). /ekofin.al

