Rritja e kërkesave për kapital rregullator MREL për 5 bankat e mëdha, ka rritur ndjeshëm emetimet e tyre në obligacione me ofertë private përgjatë vitit 2024 dhe në veçanti në 6-mujorin e dytë. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2024 sektori bankar emetoi 9.2 miliardë lekësh obligacione me ofertë private, nga të cilat 8.7 miliardë lekë i përkasin bankave MREL.
Bankat me rëndësi sistemike janë edhe bankat MREL, të cilat aktualisht janë katër, BKT, Raiffeisen, Credins dhe Intesa, ndërkohë që vitin e kaluar ishte OTP, por ajo doli nga lista e BSH në mars të këtij viti, duke këmbyer vendin me Intesën. Gjithsesi, edhe OTP i ka përmbushur kërkesat e BSH për MREL brenda vitit 2024.
Gjatë vitit 2023, emetimet e bankave të obligacione me ofertë private arritën në 8.4 miliardë lekë. Gjatë vitit 2024, emetimet e bankave që i nënshtrohen kërkesës për MREL përbëjnë rreth 95% të totalit të titujve të borxhit të emetuar në tregun e kapitalit, kundrejt nivelit prej 92% gjatë vitit 2023.
Nëse në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, bankat kishin emetuar vetëm detyrime senior të pagarantuara, risia e 6-mujorit të dytë është se janë emetuar për herë të parë edhe tituj të borxhit të varur.

Sipas ligjit nr. 9662/2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, titujt financiarë të borxhit të pagarantuar, janë detyrime senior të njohura si “detyrime të pranuara”, të cilat renditen menjëherë pas titujve të kapitalit rregullator, sipas ligjit dhe shërbejnë për qëllime të financimit të MREL. Në fund të vitit 2024, ato shënojnë rreth 6.4 miliardë lekë ose 74% të totalit të emetimeve për bankat MREL.
Ndërsa titujt financiarë të borxhit të varur janë detyrime të nënrenditura, të cilat emetohen për qëllime të kapitalit rregullator dhe shërbejnë njëkohësisht dhe për qëllime të financimit të MREL. Në fund të vitit 2024, ato shënojnë rreth 2.3 miliardë lekë ose 26% të totalit të emetimeve për bankat MREL.
Për sa i përket monedhës së emetimit të këtyre instrumenteve, për vitin 2024, emetimi në monedhën vendase shënon 2.8 miliardë lekë, emetimi në Euro shënon 6.4 miliardë lekë dhe në Dollarë amerikanë 0.04 miliardë lekë.

Përgjatë vitit 2024, emetimet në valutë nga bankat MREL zënë peshën kryesore, ku emetimet në monedhën Euro dhe Dollarë amerikanë zënë 68% dhe emetimet ne Lekë 32% të totalit. Gjatë periudhës, u emetuan për herë të parë tituj borxhi të pagarantuar në Dollar amerikan.
Investitorët individualë mbeten financuesit kryesore të këtyre emetimeve, duke rritur madje edhe më shumë praninë e tyre në vitin 2024, ku mbi 99% e titujve të bankave u blenë prej tyre, krahasuar me 97% që ishte pjesëmarrja e individëve në emetimet e vitit 2023.
Me hyrjen në fuqi të rregullores nr. 78/2020 “Për kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara”, Banka e Shqipërisë ka komunikuar kërkesën për MREL për secilën bankë që prej vitit 2021. Në dhjetor 2024, pesë nga 11 bankat e sektorit bankar duhet të përmbushin kërkesën për MREL në zbatim të strategjisë së preferuar të “rikapitalizimit nga brenda” të identifikuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo strategji nënkupton që këto banka duhet të ruajnë në bilancin e tyre, burime të mjaftueshme financiare, të cilat mund të zhvlerësohen dhe konvertohen në kapital, në rast të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Për bankat e tjera, strategjia e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë mbetet likuidimi i detyruar, në kushtet kur ky likuidim nuk cenon stabilitetin financiar në vend. /ekofin.al
