Qeveria miraton kushtet e negociimit të shoqërisë shtetërore për prodhimin e armëve dhe municioneve “Kayo” sha, për sigurimin e bashkëpunimit, me qëllim ngritjen e kapaciteteve për ofrimin e programeve të edukimit dhe trajnimit të pilotëve e të kontrollorëve të fluturimit.
Shoqëria do të negociojë me shoqëri të specializuara për të krijuar bashkëpunime që do të ofrojnë programe trajnimi dhe edukimi për trajnimin e trajnerëve për programin e përgatitjes së pilotëve e të kontrollorëve të fluturimit shqiptarë dhe të vendeve partnere; pilotëve ushtarakë dhe civilë shqiptarë dhe të vendeve partnere; trajnimin e kontrollorëve të fluturimit, ushtarakë dhe civilë etj.
Në vendim përcaktohet se “KAYO” sh.a., ofron gjatë negociimit: a) pasuri të paluajtshme të llojit ndërtesa, sipas projektit të përcaktuar në lejen e ndërtimit, të miratuar nga organet kompetente shtetërore, pa të drejtë tjetërsimi; b) infrastrukturën e nevojshme të sigurisë dhe garantimin e sigurisë në të gjitha strukturat ku ofron trajnimin; c) infrastrukturën mbështetëse logjistike për operimin e strukturave trajnuese, si: ujë, drita, shërbimin e internetit, sistemet e sigurisë dhe çdo sistem tjetër logjistik të nevojshëm për ngritjen e kapaciteteve, sipas standardeve të NATO-s; ç) tokën për ndërtim; d) përmbushjen e detyrimeve për të garantuar sigurinë fizike të personelit gjatë ofrimit të programeve të edukimit e të trajnimit, nëpërmjet kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu gjatë procesit të negociimit, në çdo rast dhe domosdoshmërisht, siguron nga subjekti me të cilin negocion minimalisht: a) planet e detajuara të vendosjes së simulatorëve, së bashku me një përshkrim të nevojave për akomodimin e të gjitha pajisjeve të nevojshme për funksionimin e programeve; b) simulatorët e fluturimit, duke garantuar përputhshmërinë me kërkesat e Forcave të Armatosura dhe standardet e NATO-s; c) softëare-t e nevojshme për operimin e simulatorëve dhe të gjitha aparaturave të tjera si dhe mirëmbajtjen e tyre; ç) helikopterët mësimorë sipas numrit dhe llojit të përcaktuar në bashkëpunim me Forcën Ajrore të Republikës së Shqipërisë; d) kurrikulat për trajnimin e pilotëve e të kontrollorëve të fluturimit;
“KAYO” do të negociojë çmimin e udhëhequr nga parimi i sigurimit të kushteve më të mira të kontratës, në përputhje me kërkesat operacionale dhe leverdisshmërisë ekonomike.
Një tjetër aspekt është që shoqëria në çdo rast, mbetet pronar i objekteve që do të ndërtohen, në funksion të ofrimit të programeve të edukimit dhe trajnimit.
Madje, e drejta e menaxhimit të strukturave të krijuara me qëllim ofrimin e programeve të edukimit dhe trajnimit të pilotëve të helikopterëve e të kontrollorëve të fluturimit, nuk mund të ofrohet gjatë negocimit dhe mbetet, në çdo rast, e drejtë e shoqërisë shtetërore.
Vendimi përcakton gjithashtu se gjatë negocimit, shoqëria nuk ofron në asnjë rast pjesëmarrje të subjektit që negocion në shpërndarjen e të ardhurave të krijuara nga ofrimi i programeve të edukimit dhe trajnimit të pilotëve të helikopterëve e të kontrollorëve të fluturimit. /ekofin.al
